Në një takim me elektoratin në Nju Hempshër, presidenti Donald Trump ka mbrojtur qasjen e administratës së tij ndaj Kinës dhe Iranit. Trump ka theksuar se është merita e tij përse ekonomia amerikane aktualisht gëzon një gjendje të mirë dhe ka deklaruar se ai është alternativa e vetme në zgjedhjet e 2020-s.
Presidenti amerikan Donald Trump ka mbrojtur ecurinë ekonomike gjatë presidencës së tij, si dhe mënyrën se si ka menaxhuar luftën tregtare me Kinën. Trump i ka bërë deklaratat e tij gjatë një mitingu në Nju Hempshër, një shtet që ka qenë jetik për fitoren e tij mes nominimeve republikane në vitin 2016 dhe që mund të rezultojë sërish jetik për rizgjedhjen e tij në 2020-n.
Trump tha se taktika e presionit tregtar e përdorur ndaj Kinës ka funksionuar, edhe pse të dyja palët sipas tij janë ende larg arritjes së një marrëveshjeje, me bisedimet që pritet të rifillojnë në shtator.
Shefi i Shtëpisë së Bardhë theksoi gjithashtu se zhvlerësimi i valutës kineze është një lëvizje që do t’i shkaktojë dëme Pekinit në të ardhmen, aq sa do ta detyrojë atë të bëjë konçesione.
“Ata dëshirojnë ta arrijnë një marrëveshje me ne, por për momentin Amerika nuk ka përse të ngutet”, tha Trump gjatë mitingut.
Duke folur për zgjedhjet e ardhshme, ai paralajmëroi se amerikanët do të përballen me një rritje të ndjeshme të taksave nëse në to fitojnë demokratët. Ai u tha të pranishëmve se, tregjet financiare do të kishin pësuar një rënie drastike në 2016-n, nëse ai nuk do të ishte zgjedhur president.
“Ndaj ju nuk keni zgjidhje tjetër veçse të votoni për mua, më doni apo më urreni”, u shpreh Trump. Presidenti preku edhe çështjen bërthamore të Iranit, duke thënë se edhe Republika Islamike dëshiron një marrëveshje të re, pasi sanksionet po i dëmtojnë ekonominë.
“Të shohim se si do të shkojnë gjërat”, vijoi Trump./ABC News Albania 24/7