Këshilli i Qarkut Dibër i dha titullin “Nder i Qarkut Dibër” ish-drejtuesit të policisë Artan Cuku i vrarë në një atentat. Në ceremoninë për dhënien e titullit ishin kryetari i këshillit të Qarkut Hajri Laçi, të ftuar Prefekti Nexhbedin Shehu, drejtues dhe punonjës të policisë si dhe miq e familjarë të Artan Cukut.
Kryetari i Qarkut tha se Artan Cuku ishte drejtues policie që nuk bëri kompromis me krimin, një njeri besnik dhe i sakrificës. Prefekti Nexhbedin Shehu tha se ai që e ka njohur Artan Cukun e di se ishte njeri që për punën në shërbim të komunitetit sakrifikonte gjithçka ashtu siç sakrifikoi edhe jetën.
Rakip Cuku, vëllai i Artanit, tha se krismat e asaj nate nuk goditën vetëm Artan Cukun, por edhe Policinë e Shtetit dhe drejtësinë. Artan Cuku la pas bashkëshorten dhe dy fëmijë./ABC News Albania 24/7