Presidenti Donald Trump i ka ofruar homologut kinez Xi Jinping ndihmën e tij për zgjidhjen e krizës në Hong Kong. Në mesazhin e tij, Trump e ka lidhur krizën në fjalë me luftën tregtare që po kalojnë Shtetet e Bashkuara dhe Kina.
Presidenti amerikan Donald Trump i ka sugjeruar homologut kinez Xi Jinping një “takim personal” për të diskutuar krizën politike që ka përfshirë Hong Kongun. Përmes një postimi në profilin e tij në Twitter, Trump deklaroi se nuk ka asnjë dyshim se presidenti Xi do ta zgjidhë në mënyrë humane këtë problem. Ai gjithashtu e lidhi protestën në rajonin autonom me marrëveshjen tregtare me Pekinin, në një kohë kur tensionet tregtare mes dy vendeve mbeten të larta.
“Sigurisht që Kina dëshiron të bëjë një marrëveshje, por le t’i lëmë të zgjidhin krizën e Hong Kongut më parë”, u shpreh Trump.
Komentet e shefit të Shtëpisë së Bardhë vijnë pas javë të tëra protestash pro-demokracisë në rajonin autonom të Kinës, të nxitura nga ligji i ekstradimit. Manifestuesit druhen se projektligji, aktualisht i pezulluar, do të çojë Hong Kongun më pranë kontrollit nga Kina. Qyteti është pjesë e Kinës mëmë në bazë të modelit “një vend, dy sisteme”, që i garanton një nivel të lartë autonomie.
Ai ka sistemin e vetë ligjor dhe gjyqësor dhe gëzon një sërë lirish që nuk ekzistojnë në pjesën tjetër të Kinës. Hong Kongu dhe ishulli i Makaut për shembull janë të vetmet pjesë në territorin kinez ku njerëzit mund të përkujtojnë masakrat e sheshit Tienanmen. Më herët gjatë javës, liderja Kerri Lam paralajmëroi protestuesit se me veprimet e tyre po e çonin qytetin në buzë të humnerës./ABC News Albania 24/7