Anëtari i Gjykatës së Lartë të Shteteve të Bashkuara, Clarence Thomas, ka pranuar për më shumë se dy dekada udhëtime luksoze pothuajse çdo vit nga donatori republikan Harlan Croë, pa i raportuar ato në formularët e të dhënave financiare.
Organizata jofitimprurëse e gazetarisë investigative ka detajuar historinë e udhëtimeve të ndryshme që gjykatësi Thomas ka bërë në jahtin dhe avionin privat të sipërmarrësit Croë, si dhe në vendpushimin privat të Croë në Adirondacks.
Sipas informacioneve, një udhëtim i vitit 2019 në Indonezi, mund të kishte kushtuar më shumë se 500 mijë dollarë nëse vetë gjykatësi Thomas do të kishte marrë me qira avionin dhe jahtin.
Anëtarëve të Gjykatës së Lartë dhe gjyqtarëve të tjerë federalë u kërkohet të paraqesin një raport vjetor mbi të dhënat financiare, në të cilin ata duhet të raportojnë dhuratat që kanë marrë. Nuk është e qartë pse gjykatësi Thomas nuk i ka raportuar këto udhëtime, por sipas një udhëzuesi të drejtësisë, të analizuar nga agjencia e lajmeve Associated Press, ushqimi, fjetja ose argëtimi në banesën “personale të një individi” nuk ka nevojë të raportohet nëse ajo është pronë personale atij individi ose e familjes së tyre.
Sipas këtij interpretimi, përjashtimi nga raportimi nuk supozohet të mbulojë “transportin privat që zëvendëson atë komercial” dhe pronat e një entiteti ekonomik.
Por gjykatësi Thomas nuk iu përgjigj një liste të detajuar të pyetjeve lidhur me këtë çështje.
Përmes një deklarate, sipërmarrësi Croë tha se ai dhe bashkëshortja e tij kanë qenë miq të gjykatësit Thomas dhe bashkëshortes së tij që nga viti 1996, pesë vjet pasi Clarence Thomas ishte emëruar anëtar i Gjykatës së Lartë.
Crow tha se “mikpritja që kemi ofruar për familjen Thomas gjatë viteve nuk është e ndryshme nga mikpritja që kemi ofruar për shumë miq tanë të tjerë” dhe se çifti “nuk ka kërkuar asnjëherë këtë lloj mikpritjeje”.
/abcnews.al