Juristja Brizida Gjikondi, gjatë intervistës me gazetarin Arlind Isa në “Special Report” komentoi edhe akuzat që implikojnë deputeten Monika Kryemadhi me financimet ruse. Ajo thotë se akuzat ndaj saj tregojnë se SPAK duhet të reagojë dhe të nisë hetimet nëse këto akuza rezultojnë të vërteta.
“Kryemadhi ka marrë para të vërtetuara nga bankat dhe rusët por këto para që ka marrë në emër të saj nuk i ka deklaruar tek ILDPK. Çdo gjë është e lidhur zinxhir. Është thirrje e madhe për SPAK, që akoma për fat të keq, nuk po shikojmë të ketë shkëputje nga presionet e politikës. Pjesa më e rëndë është moskurajoja e drejtësisë për t’u përballur me krimin dhe politikën. Ndryshe nga politika maerikane që ka autoritetetin dhe integritetin për të ndëshkuar që në rangun më të lartë.”, tha Gjikondi.
Kujtojmë që Partia Socialiste i bëri thirrje sistemit të drejtësisë që të hetojë Kryemadhin dhe lidhjet e saj me oligarkët rusë. Deputetja Klotilda Ferhati, në një deklaratë për mediat dy ditë më parë, u shpreh se drejtësia shqiptare duhet të hetojë Kryemadhin dhe prokuroria të mos humbasë kohë./abcnews.al