KQZ “amniston” Berishën/ “Bashkë fitojmë”, njëlloj kohë në media si PD dhe PS

schedule18:08 - 5 Prill, 2023

schedule 18:08 - 5 Prill, 2023

Nga 14 prilli, asnjë politikan nuk mund të dalë sa të dojë në televizion, sikundërse asnjë media, nuk mund të nxjerrë në ekran këdo. Ligji elektoral detyron që mediat tu japin kohë të balancuar të gjitha palëve pjesëmarrëse në zgjedhje, dhe raporti matet sipas karrigeve në parlament që ka secila parti.

Partitë më të vogla paralamentare do të kenë gjysmën e kohës së dy subjekteve më të mëdha, dhe këtu përfshihën Partia e Lirisë dhe PBDNJ-ja e Vangjel Dules. Pikërisht në këtë moment, kjo kthehet në fitore për Sali Berishën, pasi dy gjysma bëjnë një të plotë, dhe Koalicioni “Bashkë Fitojmë” duhet të marrë minutazh mediatik po aq sa partia e Edi Ramës.

Tek koha e këtij koalicioni, mediat janë të lira të zgjedhin nëse kohën do ta ndajnë barazim mes Metës e Dulës, apo do t’i japin një pjesë nga torta Sali Berishës. Por ekuacioni më i vështirë, është ai i Partisë Demokratike. A do të ketë Alibeaj aktivitete elektorale aq sa të barazohet me Edi Ramën dhe nëse s’ka, si i balancon media?

Ligji zgjedhor i jep të drejtë Alibeajt dhe asaj që ka ngelur nga Partia që ai drejton, kohë të barabartë televizive me Edi Ramën. Por problemi nuk është ligji. Ligji ju ka dhënë demokratëve të moderuar disa herë mundësi të barabarta dhe ata nuk kanë ditur cfarë të bëjnë me të. Pasi dështuan të garojnë në mbarë vendin, duke lënë bosh edhe 7 këshilla bashkiakë, pyetja që shtrohet është: me cfarë, ose më saktë, me kë, do ta mbushë Partia Demokratike hapësirën mediatike? Sepse zgjedhjet lokale janë për kandidatët, jo për partitë. Por sic e ka thënë vetë kryetari i komanduar i PD-së, rëndësi ka pjesëmarrja dhe jo rezultati.

Për PD-në e sotme, kjo është sa e hidhur, aq edhe e vërtetë./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!