Shefi i delegateve te UEFA-s, Stefan Keller ishte i pranishëm në Tiranë ku mori pjesë në seminarin e organizuar nga Federate Shqiptare e Futbollit së bashku me UEFA-n.
Të pranishëm ishin të gjithë delegatët që angazhohen nga FSHF në garat futbollistike që zhvillohen në Shqipëri.
FSHF synon që të ofrojë eksperiencën ndërkombëtare në organizimin e një ndeshjeje futbolli. Shefi i delegatëve të UEFA-s shpjegoi për pjesëmarrësit sesi duhet të punojnë në rolin e delegatit dhe bashkëpunimin me të gjithë faktorët në një ndeshje futbolli ndërkohë që theksoi se siguria është thelbësore për garën sportive.
“Delegatët janë veshët dhe sytë tanë. Ata janë personat që ne i besojmë dhe autoriteti më i lartë në një ndeshje. Duhet të bëjnë atë që është e drejtë dhe jo atë që është e lehtë. Është një punë e vështire dhe me përgjegjësi. Një delegat i cili shkon në një ndeshje duhet të dëgjojë edhe opinionet e klubeve pasi skuadrat organizojnë takime çdo javë. Duhet të ketë një sens mirëkuptimi pasi jo çdo gjë që shkruhet në rregullore është e zeza mbi të bardhë ka edhe rregullore të cilat mund të interpretohen”.
Seminari u bazua mbi disa pika si:
Krizat e menaxhimit gjatë ndeshjeve.
Ndërprerja e ndeshjeve.
Rastet e dhunës në stadium.
Dhunimi i zyrtarëve të ndeshjes.
Plotësimi i raportit final të ndeshjes.
Komunikimi me klubet disa ditë përpara zhvillimit të ndeshjes.
Takimi zyrtar me klubet ditën e zhvillimit të ndeshjes.
Në fundin e seminarit të gjithë delegatët iu nënshtruan një testimi i përgatitur nga shefi i delegatëve të UEFA-s./ABC News Albania 24/7