Pavarësisht se jemi në pranverë po përjetojmë ditë dimri. Në Peshkopi janë kthyer flokët e borës ndërsa termometri mëngjesin e të mërkurës zbriti deri –2 gradë celcius. Vlera këto që sipas meteorologëve janë rreth 7 gradë më të ulëta se normalja e stinës.
“Ka pasur reshje bore deri në 700 m mbi nivelin e detit, kjo si pasojë e rënies së temperaturave të ajrit dhe kjo vjen si pasojë e një mase të ftohtë që ka zbritur nga veriu i kontinentit Evropian dhe ka përfshirë rajonin e Ballkanit duke prekur rajonin shqiptar dhe jo vetëm dhe në Kosovë dhe në Maqedoni kemi përjetimin e temperaturave të dimrit”, ka thënë meteorologu Hakil Osmani.
Të enjten parashikohet një rritje e lehtë e temperaturave, por sërish nuk priten ditë pranvere.
Mëngjeset e gjysmës së parë të prillit sipas meteorologëve herë pas here do ti ngjasojnë atyre të dimrit. Ndërsa vranësirat dhe moti i paqendrueshëm parashikohet të na shoqëroje deri në në mesin e muajit. Duke nisur nga e diela reshjet e shiut parashikohet të përfshijnë një pjesë të territorit të vendit.
“Dita e enjte sjell një rritje të lehtë të temperaturave në mëngjes nga 0 deri në -1 gradë në zonat malore por temperaturat e mesditës do të mbeten 13 gradë në Ultësirën Perëndimore. Duke filluar ditën e premte dhe në fundjavë do të kemi një rritje të temperaturave deri në 16 gradë dhe 17 gradë, dhe pse në ritje mbeten poshtë vlerave normale të stinës së pranverës”, është shprehur ndër të tjera meterologu. /abcnews.al