TIRANË- Gjatë një tryeze pune të organizuar nga KQZ u prezantua Platforma Elektronike për Raportimin Financiar për forcimin e monitorimit të financimit të partive politike dhe transparencës së fondeve në fushatë. Kreu I KQZ-së, Ilirjan Celibashi u shpreh se kjo platforma do kontribuojë në mbikëqyrje efikase.
“Projekti i digjitalizimit mbetet nje nga projektet më të rëndësishme të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Në thelb synohet mbështetja e KQZ për raportimin dhe monitorimin e financimit të partive. Platforma nuk është mekanizmi që zgjidh problemin me financimin e partive, por ndihmon administrimin dhe mbikëqyrje efikase“, tha Celibashi.
E pranishme në këtë tryezë ishte edhe ambasadorja e BE në Shqipëri, Christiane Hohmann. Ajo tha se kjo platformë u jep forcë qytetarëve duke u ofruar atyre më shumë transparencë dhe mundësi për të luftuar korrupsionin. Diplomatja e BE-së tha se kjo qasje shton transparencën dhe përmirëson demokracinë e vendit.
“Ne po përmbushim një nga kushtet themelore, transparencën financiare. Shqipëria është vendi i parë që ka një platformë të tillë për transparencë në Rajon. Me një platformë të tillë, ne shohim një mundësi për të fuqizuar njerëzit, qytetarët që mund të kontrollojnë se çfarë ndodh. Qytetarët mund të zgjedhin bazuar se kë ata mendojnë se është kandidati më i mirë për punë. Në këndvështrimin tonë kjo është thelbësore, a do jetë ky fundi i sfidës? Jo, po për ne është një hap i rëndësishëm. Është i bazuar në transparencë, është po ashtu një element për të cilin po punojmë, të luftojmë realitetin e korrupsionit sepse me transparencë korrupsioni nuk ka asnjë mundësi. Ne duam të forcojmë besimin e njerëzve te zgjedhjet dhe kjo është një mundësi për të patur zgjedhje të lira ku ti e di se çfarë ndodh. Kjo platformë do jetë aty dhe për partitë politike sepse ato duhet të jenë transparente për votuesit, kjo është detyra juaj sepse duhet të tregoni se e meritoni besimin e qytetarëve”, tha ajo.
Gjithashtu në takim janë prezentë edhe organizata dhe përfaqësues të shoqërisë civile, të cilat kanë në fokus monitorimin e zgjedhjeve në vendin tonë. Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve priti sot në takim edhe ambasadoren e SHBA në Tiranë, Yuri Kim dhe atë të Bashkimit Evropian. /n.m. abcnews.al