Në Bruksel ka përfunduar takimi trepalësh në mes kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi dhe atij të Serbisë, Petar Petkoviç, me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak.
Pas këtij takimi, ku u diskutua zbatimi i marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës e Serbisë, Bislimi ka paralajmëruar për mundësinë e një takimi në nivel të liderëve të të dyja vendeve, kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, brenda muajit prill.
“Pati një dakordësi mes palëve që takimi i radhës të nivelit të lartë politik të mbahet më 22 prill. Mirëpo kjo në momentin e fundit nuk është shumë e sigurtë, pasi ka indikacione që presidenti i Serbisë të mos jetë i gatshëm për këtë datë”, ka thënë ai.
Bislimi ka bërë të ditur se në takim është diskutuar për prezantimin e draftit fillestar të grupit të menaxhmentit lidhur me vetëmenaxhimin e komunave me shumicë serbe. Ai po ashtu ka treguar edhe për çështje tjera të folura në takim.