Kontrollit te Tatimeve nuk do ti shpëtojë as biznesi i vogël. Zëvendësministri i Financave dhe Ekonomisë Elton Harxhi e paralajmëroi pas një trajnimi të administratës tatimore në Lezhë.
Pas afro një muaj e gjysmë monitorim të bizneseve në terren Hetimi Tatimor ka dalë në këtë përfundim.
“Gjithë shkeljet më të mëdha janë kryer nga bizneset të mëdha, më shumë sesa ato të vogla”.
Por kjo nuk do të thotë se në vijim biznesi i vogël do ti shpëtojë kontrolleve.
“Do të ketë një kontroll rutinë edhe tek bizneset e vogla për përmbushje të disa komponentëve thelbësorë të legjislacionit tatimor, siç është: lëshimi i kuponit, apo edhe regjistrimi në organet tatimore, duke qenë se ata kryejnë një aktivitet ekonomik, por kjo nuk do të thotë që kjo është një fokus i kësaj ndërmarrjeje të Administratës Tatimore, pasi fokusi është biznesi i madh”.
Deklaratat e Zëvendësministrit te Financave dhe Ekonomisë vijnë pas trajnimit të punonjësve të Tatimeve në Lezhë me qëllim aftësimin profesional lidhur me legjislacionin fiskal./ABC News Albania 24/7