Qytetarët e Malit të Zi po zgjedhin sot në raundin e dytë të votimeve presidentin e ri të vendit. Në garë për këtë post janë dy kandidatët Milo Gjukanoviç dhe Jakov Milatoviç.
Gazetarja e ABC News, Linda Karadaku në lidhje direkte nga Mali i Zi ka treguar se deri më tani pjesëmarrja e votuese ka qenë e lartë dhe pritet që të rritet në orët në vijim, pasi është Ramazani dhe shumë qytetarë votojnë më vonë.
Ndërkohë, analisti Mentor Nazarko e konfirmoi këtë gjë duke u shprehur se përputhja me një ditë kremtimi fetare është ajo ç’ka ka penguar që Ulqini t’i bashkohet trendit të përgjithshëm që është në të gjithë Malin e Zi të rritjes së pjesëmarrjes.
Sipas Nazarkos, rritja e pjesëmarrjes historikisht në vendet tona është na favor të ndryshimit, që i bie të jetë ardhja e një figure siç është Jakov Milatoviç.
“Është ende herët për të parë se cila është prirja elektorale, pasi kryetari i komunës së Tuzit i ka bërë thirrje elektoratit atje që të votojnë, sipas ndërgjegjes. Pra, ishte neutral në këtë thirrje. Ndërkohë që njëra nga partitë shqiptare por jo e vetmja që është Partia Demokratike, ka bërë thirrje për Gjukanoviçin, por URA që është partia udhëheqëse në Komunë, është në mbështetje të kandidatit Milatoviç. Mund të thuhet që përputhja me një ditë kremtimi fetare është ajo çka ka penguar që Ulqini t’i bashkohet trendit të përgjithshëm që është në të gjithë Malin e Zi të rritjes së pjesëmarrjes. Zakonisht, rritja e pjesëmarrjes historikisht në vendet tona është na favor të ndryshimit. Ndryshimi i bie që të jetë alternimi në krye të Presidencës të Malit të Zi. Ardhja e një figure siç është Jakov Milatoviç, që është figurë e re, pjesë e një grupi që është afruar në vitin 2020 me rotacionin që u zhvillua në krye të qeverisë bashkë me figura të tjera të njohura. Ndryshimin nënkupton të personifikohet me figurën e re, pastaj se çfarë lloj ndryshimi është, cilat janë ngjyrat e këtij ndryshimi, kjo është një gjë që mund ta themi tani, diçka mund ta themi më vonë”, tha ai./abcnews.al

