Presidenti Joe Biden nuk do të marrë pjesë në kurorëzimin e mbretit Charles III, por pritet të dërgojë zonjën e parë Jill ose zëvendëspresidenten Kamala Harris.
Të ftuarit, përfshirë liderët botërorë, janë njoftuar nga Buckingham Palace për datën e ceremonisë që do mbahet në maj, por kreu i Shtëpisë së Bardhë nuk do jetë mes tyre.
Kjo është hera e dytë që Biden do të shmangë një takim me monarkun.
“Ne mendojmë se përfaqësuesi do të jetë zonja e parë ose zëvendëspresidenti,” tha një burim për DailyMail.
Gazeta Daily Telegraph, e cila ishte e para që raportoi lajmin, shtoi se Dame Karen Pierce, ambasadorja britanike në SHBA dhe ndihmësit e Pallatit Buckingham kishin zhvilluar bisedime ‘të përzemërta dhe diplomatike’ me Shtëpinë e Bardhë në lidhje me delegacionin.
Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë tha se delegacioni që do të marrë pjesë pritet të shpallet gjatë javëve në vijim. Charles u bë mbret pas vdekjes së nënës së tij Mbretëreshës Elizabeth II në shtator të vitit të kaluar.
Më 6 maj ai do të kurorëzohet në Westminster Abbey. Ceremonia pasqyron traditën një mijë vjeçare dhe shërbesa do të kryhet nga Kryepeshkopi i Canterbury-t.
/abcnews.al