Një financier miliarder amerikan është gjetur i vdekur në qelinë e tij të burgut, ndërsa priste gjyqin për akuzat e abuzimit seksual me të mitur.
Trupi i Jeffrey Epstein u gjet në 06:30 të mëngjesit me kohën lokale në një burg në New York.
Zyrtarët thanë se vdekja e tij ishte një vetëvrasje e dukshme, ndërsa FBI po heton ngjarjen.
Departamenti i Drejtësisë përmes një deklarate bëri të ditur se Epstein u transportua në një spital lokal për trajtimin e dëmtimeve të rrezikshme për jetën, ku u deklaruara edhe i vdekur.
Financieri amerikan po mbahej në burg që prej 6 korrikut për prostitucion e trafik femrash të mitura. 66 vjeçari ishte akuzuar për trafikim të femrave, disa prej të cilave ende nuk kishin mbushur 14 vjeç.
Por ai kishte deklaruar se është i pafajshëm për akuzat. Vdekja e Epsteinit vjen një ditë pasi u lëshuan qindra faqe dokumente gjyqësore që zbuluan akuza të reja kundër tij dhe disa bashkëpunëtorëve të tij.
Epstein u akuzua se paguante vajza nën moshën 18 vjeç për të kryer akte seksuale në pallatet e tij në Manhattan dhe Florida midis viteve 2002 dhe 2005.
Financieri me origjinë nga Brooklyn bëri emër në bankën e investimeve “Bear Stearns” përpara se të hapte firmën e tij në vitin 1982, duke administruar para për klientët me pasuri më të mëdha se 1 bilion dollarë./ABC News Albania 24/7