Presidentja e Tajvanit në SHBA, Kina paralajmëron të mos pritet në takime

schedule07:15 - 30 Mars, 2023

schedule 07:15 - 30 Mars, 2023

Presidentja e Tajvanit Tsai Ing-wen mbërriti në Nju Jork të mërkurën, duke filluar kështu një ndalesë delikate në Shtetet e Bashkuara. Ajo ishte zotuar gjatë udhëtimit se nuk do të lejonte që presioni i jashtëm ta pengonte këtë vend ishull që të angazhohej me botën. Komenti i saj u bë pasi Kina paralajmëroi për pasoja në rast se presidentja tajvaneze do të takohej me Kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve, Kevin McCarthy.

Kina, e cila pretendon se Tajvani demokratik është pjesë e territorit të saj, ka paralajmëruar vazhdimisht zyrtarët amerikanë që të mos takohen me zonjën Tsai, e cila po bën ndalesën e saj të parë në Shtetet e Bashkuara që nga viti 2019, duke e perceptuar këtë si mbështetje për dëshirën e ishullit për t’u konsideruar një vend i pavarur.

Kina organizoi manovra të mëdha luftarake përreth Tajvanit në gusht, kur Kryetarja e atëhershme e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi vizitoi Taipein. Forcat e armatosura të Tajvanit thanë se po vëzhgojnë çdo lëvizje kineze, ndërkohë që zonja Tsai gjendet jashtë vendit.

Zonja Tsai do të vizitojë edhe Guatemalan dhe Belizenë, dy nga vendet e pakta që e njohin Tajvanin në rrugë diplomatike. Ajo do të qëndrojë në Nju Jork deri të shtunën dhe do të vizitojë edhe Los Anxhelosin pas kthimit nga Amerika Qendrore. Ajo pritet të takohet me zotin McCarthy në Kaliforni, megjithëse kjo nuk është konfirmuar zyrtarisht.

“Presioni i jashtëm nuk do të pengojë vendosmërinë tonë për të shkuar nëpër botë”, tha zonja Tsai përpara se të nisej në aeroportin kryesor ndërkombëtar të Tajvanit në Taoyuan.

“Jemi të qetë dhe të sigurt; as nuk do të përulemi dhe as nuk do të provokojmë. Tajvani do të ecë me vendosmëri në rrugën e lirisë dhe demokracisë dhe do të shkojë nëpër botë. Edhe pse kjo rrugë është e vështirë, Tajvani nuk është i vetëm”, tha zonja Tsai.

Ambasada de facto e Tajvanit në Shtetet e Bashkuara konfirmoi mbërritjen e zonjës Tsai në Nju Jork të mërkurën pasdite dhe tha se asnjë nga aktivitetet e saj nuk ishte i hapur për shtypin apo publikun gjatë ndalesës së saj atje. Videoklipet treguan se ajo u përshëndet në qytet nga mbështetësit që valëvisnin flamuj.

Tajvani ka vazhduar të humbasë gradualisht njohjen zyrtare nga më shumë vende, ndërsa ato po kalojnë në anën e Pekinit. Hondurasi ndryshoi anë të dielën, duke e lënë kështu në vetëm 13 numrin e vendeve që kanë lidhje formale me Tajvanin. Pekini thotë se Tajvani i përket “një Kine” dhe, si një provincë kineze, nuk ka të drejtë të mbajë lidhje ndërshtetërore. Tajvani e kundërshton këtë.

Tajvani është çështja më e ndjeshme territoriale e Kinës dhe një mollë e madhe sherri me Uashingtonin, i cili, si shumica e vendeve, mban vetëm lidhje jozyrtare me Taipein. Por qeveria amerikane i kërkohet nga ligji amerikan që t’i sigurojë ishullit mjetet për të mbrojtur veten dhe kjo lehtëson zhvillimin e vizitave jozyrtare.

Dy burime të ndryshme i thanë agjencisë së lajmeve Reuters se mbi 20 ligjvënës amerikanë do të shoqërojnë zotin McCarthy në takimin me zonjën Tsai, të parashikuar të mbahet në Bibliotekën Presidenciale “Ronald Reagan” pranë Los Anxhelosit. Biblioteka nuk e ka konfirmuar mbajtjen e këtij takimi.

Zyrtarët amerikanë thanë se zonja Tsai do të takohej me Laura Rosenberger, drejtuese në selinë në Uashington të Institutit Amerikan në Tajvan, një organizatë jofitimprurëse e drejtuar nga qeveria amerikane që mbulon marrëdhëniet jozyrtare me Tajvanin.

Zonja Rosenberger, e cila kaloi në këtë post javën e kaluar, ishte më parë zyrtare e lartë për Kinën dhe Tajvanin në Këshillin e Sigurisë Kombëtare.

Zëdhënësi për Sigurinë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, John Kirby i kërkoi Kinës që të mos përdorë ndalesën si pretekst për të rritur aktivitetin agresiv kundër Tajvanit.

“Jemi të vetëdijshëm se gjërat janë të tensionuara tani” mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës, tha zoti Kirby, por ai i kërkoi Pekinit të mbajë të hapura linjat e komunikimit.

Zoti Kirby tha se Uashingtoni ende dëshiron të organizojë një udhëtim në Pekin për Sekretarin e Shtetit Antony Blinken, i cili u shty muajin e kaluar kur një balonë spiune kineze u rrëzua nga një avion luftarak amerikan.

Një zyrtar i lartë i administratës amerikane u tha gazetarëve se Pekini kishte rritur presionin ushtarak, ekonomik dhe diplomatik mbi Tajvanin, por se Uashingtoni nuk do të ndryshojë “praktikën e tij të gjatë” për lehtësimin e tranzitit nëpërmjet Shteteve të Bashkuara./VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!