TIRANË – Deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula shprehet i keqardhur për faktin se kjo forcë politike do të garojë me listë të pjesshme në zgjedhjet lokale të 14 majit.
Në një intervistë për ABC News, Sula u shpreh se nuk e di numrin e kandidatëve që PD do të ketë për kryetarë të bashkive.
Sipas Sulës, kjo nuk është një situatë normale dhe shtoi se të dyja grupimet në PD duhet të arsyetojnë e jo të veprojnë me inat.
“Sinqerisht, unë ndjej keqardhje për situatën që është krijuar. Nuk e kam një informacion të saktë sa i përket numrit të kandidatëve për të garuar në zgjedhjet e 14 majit. Qëndrimi im ka qenë i qartë, një qëndrim që bashkë me shumë kolegë të tjerë, në kushtet që ndodhet PD do ishte mirë që ne si PD të mos garonim me kandidatë kur jemi dy pjesë.
Edhe ata në krahun tjetër janë demokratë. Sa i takon vulës apo siglës, do ishte e logjikshme që PD të luftonte për Këshillat Bashkiakë në 61 bashki. Në këto rrethana, kjo është një situatë jo normale. Sinqerisht nuk di çfarë të them më shumë, duhet të prevalonte arsyeja. Kjo nuk është normale”, theksoi ai./abcnews.al