Persona të paidentifikuar qëlluan me breshëri plumbash godinën e televizionit Top Channel, ku fatkeqësisht ndërroi jetë roja e sigurisë private, Pal Kola 60 vjeç.
Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orë 1 të mëngjesit të së hënës. Autorët lëviznin me një mjet tip Range Rover dhe sapo iu afruan godinës qëlluan me breshëri.
Nga të shtënat ndërroi jetë roja 60 vjeçar që kishte pak muaj që kishte nisur punën aty. Ai ndodhej brenda në kabinë duke u ngrohur.
Në vendngjarje policia sekuestroi më shumë se 25 gëzhoja. Për të identifikuar agresorët sekuestruan një sërë kamerash sigurie.
Autorët pasi u larguan prej andej, nëpërmjet disa rrugicave në afërsi të mbikalimit të Rinasit kaluan në autostradën Tiranë-Durrës, për të shkuar deri në Golem, ku dogjën dhe mjetin bashkë me dy kallashnikovët mbrenda.
Nga verifikimet është zbuluar se mjeti nuk rezulton i regjistruan në territorin shqiptar dhe mund të ketë hyrë në vendin tonë në mënyrë ilegale nga Itali. Ndërsa targat ishin të mbivendosura dhe të vjedhura në Tiranë.
Policia dhe prokuroria nuk kanë ende një pistë konkrete hetimore.
Kontrollet për gjetjen e autorëve u shtrinë edhe në Vlorë. Dyshohet se në hyrje të qytetit, një automjet ka ndaluar dhe duket se ka hedhur diçka të dyshimtë në rrugë. Për këtë janë shoqëruar disa persona për t’u verifikuar.
I fundit që përmendi Top Channel, vetëm pak ditë më parë, ishte Sali Berisha. Të premten ai u shfaq i shqetësuar pas një lajmi të një portali, se Top Channel kishte ndryshuar pronësi. Dhe befas njeriu që e kishte sulmuar më shumë televizionin kombëtar, foli pro tij. Shqetësim kryesor duket të ishte ndryshimi i vijës editoriale.
Njoftimi i policisë:
Më datë 27.03.2023, rreth orës 01:00, në Mëzes, në rrethana ende të paqarta, nga persona ende të paidentifikuar, është qëlluar me armë zjarri në drejtim të ambienteve të Top Channel. Si pasojë e të shtënave ka humbur jetën roja i sigurisë shtetasi P. K., 60 vjeç (punonjës i një shoqërie për ruajtjen fizike të objekteve).
Është ngritur grupi hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna intensive për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, sekuestrimin e provave që do të shërbejnë për zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve. Shërbimet e Policisë kanë ngritur pikat e kontrolleve dhe vijon puna për identifikimin e kapjen e autorëve./abcnews.al


