Kremlini: Nuk befasohemi nga reagimi armiqësor i Perëndimit ndaj vizitës së Xi Jinping

schedule16:39 - 22 Mars, 2023

schedule 16:39 - 22 Mars, 2023

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha se nuk është i befasuar nga reagimi armiqësor i vendeve perëndimore ndaj vizitës së udhëheqësit kinez Xi Jinping këtë javë në Moskë.

“Sa i përket reagimit të vendeve të Perëndimit kolektiv, fakti që për pothuajse të gjitha çështjet ky reagim është i një natyre jomiqësore, thellësisht armiqësore nuk është sekret për askënd. Mbulimi i kësaj vizite të rëndësishme nuk bën përjashtim,” tha Peskov, shkruan CNN.

“Sigurisht, gjëja më e rëndësishme nuk është reagimi i Perëndimit, por janë rezultatet e negociatave që u zhvilluan. Gjëja kryesore janë rezultatet e vetë vizitës shtetërore”, shtoi ai.

Komentet e Peskov erdhën pasi John Kirby, zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, deklaroi se Pekini dhe Moska po thellojnë marrëdhëniet për shkak të interesit të tyre të ndërsjellë për të sfiduar ndikimin global të SHBA-së.

Kirby gjithashtu kundërshtoi pretendimin e Kinës se ajo kishte mbajtur një qëndrim të paanshëm në lidhje me luftën në Ukrainë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!