Gerd Haxhiu është prezantuar nga administratori i Flamurtarit Sinan Idrizi si trajneri i ri i skuadrës. Një vendim i papritur pasi skuadra kishte akord me trajnerin Julian Ahmataj
Skuadra e Flamurtarit është ndër të paktat ekipe në Kategorinë Superiore që nuk ka zyrtarizuar ende transferimin e parë. Klubi vlonjat është në një krizë financiare çka e pengon për të investuar tek blerjet e reja. Gjithsesi në kampin vlonjat nuk preferojnë të humbasin ende kohë dhe kanë zyrtarizuar trajnerin e ri. Gerd Haxhiu është prezantuar nga administrator i klubit Sinan Idrizi si trajneri i ri i Flamurtarit i cili do të zëvendësojë në këtë post Ilir Dajen. Një lëvizje e papritur nga kuqezinjtë pasi klubi kishte një akord me trajnerin Julian Ahmataj.
“Gerd Haxhiu zyrtarisht trajneri i ri i Flamurtari Football Club .Pas eksperiencës si lojtar, rikthehet me detyrën e trajnerit të parë. Stafit te teknikut vlonjat i bashkohet edhe një emër i njohur në futbollin shqiptar dhe atë vlonjat, Dritan Sadedini me detyrën e ndihmës trajnerit”, njofton skuadra e Flamurtarit. Gerd Haxhiu rikthehet në drejtimin e një skuadre pas dy vitesh kur u largua nga Korabi. Trajnerin e pret një mision i vështire dhe pretendimet nuk janë të larta pasi skuadra është e përfshirë nga kriza financiare./ABC News Albania 24/7