Barcelona është shumë pranë marrjes së Nejmarit nga Paris Sen Zhermeni. Dy klubet pritet të bien dakord për formulën e huazimit këtë vit, dhe për transferimin përfundimtar verën e ardhshme
Është kaq i shtrenjtë sa nuk mund të merret këtë vit.
Gjithsesi, është kthyer në kaq shumë problematik saqë nuk mund të mbahet asnjë ditë më shumë.
Nejmar duket se më në fund do të largohet nga Paris SG dhe do të bëhet që këtë sezon lojtar i Barcelonës, nëpërmjet një formule që mund t’i kënaqë të gjithë.
Mediat spanjolle dhe britanike, ashtu si ato franceze, raportojnë se katalanasit janë në bisedime të përparuara me parizienët, për të realizuar transferimin në dy etapa.
Fillimisht, Nejmar do të huazohet tek Barça kundrejt një shume të madhe financiare që mbetet të përcaktohet, ndërsa verën e ardhshme, klubi spanjoll do të bëjë blerjen përfundimtare të kartonit të brazilianit.
Marrëveshja mund të arrihet brenda pak ditëve, ndërsa afron fundi i dritares së transferimeve, data 2 shtator.
Nejmar u kthye në çështje të madhe tek PSG-ja pasi fillimisht refuzoi të bashkohej me shokët në grumbullim në afatin e caktuar, ndërsa pastaj kërcënoi se nuk do të luante më asnjë ndeshje për klubin francez.
Marrëdhëniet e tij me drejtuesit dhe me shokët e skuadrës janë të prishura, ndoshta përfundimisht, dhe sulmuesi nuk ishte pjesë e ekipit që fitoi Superkupën e Francës, me suksesin 2-1 ndaj Renës në finalen e luajtur në Shençen të Kinës.
Në fund të ndeshjes, pas dhënies së trofeut, ndodhi edhe një incident kur Kilian Mbape largoi me forcë Nejmarin nga festimet, diçka që u tha se u bë me shaka.
Gjithsesi, shakaja mbetet gjysma e së vërtetës./ABC News Albania 24/7