Pak orë nga masakra e Teksasit një tjetër ngjarje e rëndë ka tronditur Shtetet e Bashkuara. Në rrethana të ngjashme, një person ka hapur zjarr në një zonë argëtimi në Dejton të Ohajos, duke lënë të vrarë 9 persona dhe të plagosur shumë të tjerë.
Të paktën 9 persona mbetën të vrarë dhe 16 të tjerë të plagosur në një tjetër sulm me armë të ndodhur në Shtetet e Bashkuara, këtë herë në Dejton të Ohajos. Ngjarja ndodhi në 1 me orën lokale, 7 të mëngjesit me orën tonë, jashtë një kompleksi baresh dhe lokalesh në zonën e Oregonit, ku po mbahej edhe një koncert i vogël.
Policia konfirmoi se ekzekutoi autorin e sulmit, që ndodhi vetëm disa orë pas atij në El Paso të Teksasit. Shefi i policisë së Dejtonit deklaroi se pranë vendit të ngjarjes ishin ndodhur disa patrulla të policisë, të cilat ndërhynë dhe parandaluan përshkallëzimin e sulmit.
“Agjentët tanë janë të mirëpërgatitur për situata të tilla dhe njerëzit ishin me fat që ata u gjendën aty”, deklaroi zyrtari i lartë. Për momentin për autorin nuk ka shumë të dhëna, por autoritetet deklaruan se po punojnë për të zbardhur motivet e veprimit të tij.
Në hetime po ndihmojnë edhe agjentë të FBI-së, të cilët kanë bërë thirrje që dëshmitarë nga vendi i ngjarjes të paraqiten në institucione. Pamje të postuara në rrjetet sociale tregojnë njerëzit që largohen me vrap, teksa dëgjohen edhe breshëri të shtënash. Kryetarja e Bashkisë së Dejtonit, Nen Uejlli deklaroi se ndihej zemërthyer nga ngjarja dhe falënderoi agjentët e policisë që ndërhynë për vënien nën kontroll të situatës.
Masakra e Dejtonit, përveç se ndodhi disa orë pas asaj të Teksasit, ku mbetën të vrarë 20 persona, ndodh gjithashtu më pak se një javë nga vrasja e tre personave në festivalin e ushqimit në Kaliforni, ku 15 persona të tjerë mbetën të plagosur. /ABC News Albania 24/7