Zëvendës presidenti i Këshillit të Atlantikut, Damon Willson ka deklaruar se Serbia e Kosova kanë një mundësi historike që të arrijnë një marrëveshje pasi gëzojnë mbështetjen e bashkërenduar të Shteteve të Bashkuara dhe Evropës. Në një intervistë për seksionin serb të Zërit të Amerikës, Willson është shprehur optimist se Serbia do ta njohë pavarësinë e Kosovës.
VOA – Duket se ka pasur optimizëm për vazhdimin e dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës, pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt. A besoni se Qeveria e re e Kosovës do t’i heqë tarifat dhe të vazhdojë dialogu?
Damon Wilson, zv.president i Këshillit të Atlantikut – E dini, nuk jam naiv të mos e di se gjithë kjo është e vështirë, sepse kjo është një punë e madhe, por ajo që është e vërtetë është se tani ekziston një mundësi e re, ndoshta një fushë e re e mundësisë që Kosova e Serbia t’i kthehen dialogut. Kjo do të varet nga ajo si ka për t’u zgjidhur situata në Kosovë lidhur me formimin e qeverisë së re, që për këtë të ketë pëlqim. Presidenti Thaçi ka luajtur një rol të guximshëm dhe të vështirë prej lideri dhe për këtë duhet të ketë patjetër mbështetjen e qeverisë. Të shohim se si kanë për të shkuar punët, por shpresoj se Kosova do t’ia dalë të formojë një qeveri e cila do të jetë në gjendje të qeveris dhe të gëzojë mbështetjen e publikut, por edhe të përmirësojë pozicionin e vendit duke marrë pjesë në dialog.
VOA – Herën e fundit kur folët për Zërin e Amerikës thatë se nuk ka afate. Kjo tingëllon sikur administrata amerikane dëshiron që kjo çështje të zgjidhet sa më parë, madje edhe gjatë disa muajve të ardhshëm, ashtu sikurse përmendi presidenti i Francës, Makron?
Damon Wilson, zv.president i Këshillit të Atlantikut – Duhet zgjidhur tani, duhet të ndodhë brenda disa muajve të ardhshëm. Është koha e fundit që këto vende të mund të fillojnë planifikimin e të ardhmes, kjo është pengesë – që nuk ka normalizim mes Kosovës dhe Serbisë. Do të jetë një litar në qafën e atyre, edhe në Beograd edhe në Prishtinë, pengesë për ta shpënë vendin në ardhmëri. Nuk ka ndonjë afat artificial, por është urgjente. Bota po ndryshon shumë shpejt, ekonomia botërore po ndryshon në mënyrë drastike dhe e gjithë kjo pjesë e botës, Ballkani, Kosova dhe Serbia, do të mbeten në bisht, këshu që ekziston një mundësi historike, janë liderët politik që kanë vizion për ta bërë këtë dhe të cilët e kuptojnë sa e rëndësishme është kjo. Këtu është edhe mbështetja e bashkërenduar e Evropës dhe Uashingtonit, madje edhe kur ekzistojnë dallime, por në nivelin strategjik, këtu Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian duan të ndihmojnë dhe ta shtyjnë që kjo të përfundojë. Tani është momenti, sepse të gjithë hyjnë në procese elektorale, të gjithë dëshirojnë zgjidhjen e kësaj çështje para se vëmendja të përqendrohet tek zgjedhjet.
VOA – Zëvendësndihmës-sekretari amerikan i Shtetit, Metju Palmer, tha në një intervistë për Zërin e Amerikës se askush nuk mund ta detyrojë Beogradin dhe Prishtinën të bëjnë diçka të cilën nuk dëshirojnë ta bëjnë në procesin e arritjes së marrëveshjes. Dhe, kur flasim për njohjen e ndërsjellë, besoni ju se Serbia ka për ta njohur ndonjëherë pavarësinë e Kosovës?
Damon Wilson, zv.president i Këshillit të Atlantikut – Besoj se po, por kjo nuk ka për të ndodhur kollaj. Kjo duhet të jetë patjetër pjesë e paketës që i konvenon edhe Serbisë. Ky është një rast për Serbinë që të zhvillojë ekonominë e saj, të përmirësojë potencialin e krahut të punës dhe të mundësojë një të ardhme më të mirë për ata të cilët dëshirojnë të mbeten në vendin e vet, duke përshpejtuar rrugën drejt Bashkimit Evropian. Të mos mbetet politikisht plotësisht e kapur me çështjen e Kosovës, por të jetë e orientuar drejtë përgatitjes së vendit për pjesëmarrje në ekonominë globale. Mendoj se liderët serbë e kuptojnë se është në interes të Serbisë të mos e lë plagën të hapur, por të zbatojë pajtimin dhe normalizimin dhe të mendojë për të ardhmen e saj. Kjo është një mundësi për Serbinë që të përqendrohet në të ardhmen, por kjo kërkon që tani të merren vendime të vështira lidhur me Kosovën. Dhe, në kalendarin e tanishëm politik, ka mundësi për këtë./ABC News Albania 24/7