Presidenti Ilir Meta i është përgjigjur kërkesës së Kuvendit për dekretet mbi zgjedhjet. Në arsyetimin e parashtruar, kreu i Shtetit ka nënvizuar edhe një herë se dekretet e tij janë akte me natyrë krejtësisht të veçantë juridiko-kushtetuese dhe si të tilla, askush tjetër veç Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë nuk mundet të shqyrtojë vlefshmërinë dhe kushtetutshmërinë e tyre.
I ka përsëritur disa herë arsyet që e çuan në shtyrjen e zgjedhjeve të 30 Qershorit, por Kuvendi i Shqipërisë i kërkon edhe më shkrim. Përgjigjen Presidenti i Republikës ia kthen dy javë protokolloi kërkesën e kryeparlamentarit Gramoz Ruçi.
Kriza e rëndë politike, kushtetuese, institucionale dhe të përfaqësimit… Rreziku që Shqipëria të shkonte drejt një përshkallëzimi të paparashikueshëm të tensionit social…
Janë vetëm disa nga pasojat që kishte prodhuar situate politike në vend me protesta e përplasje mes mbështetësve të opozitës dhe policisë së shtetit. Ndër të tjera presidenti Meta i kujton ish-kolegut Ruçi se ky nuk është rasti i parë i shtyrjes së datës së zgjedhjeve.
Precedenti i parë i shtyrjes së procesit zgjedhor në Shqipëri ka filluar me Ramiz Alinë në vitet 1990-1991, për të vazhduar edhe me tre raste të tjera në vitet 2006-2007, 2017 dhe 2018 e për mbërritur në dekretin e fundit të firmosur prej atij vetë në Qershor të këtij viti.
Letra e bërë publike nga presidenti Ilir Meta shoqërohet edhe me një sqarim nga kreu i shtetit, drejtuar kryetarit të Kuvendit të cilit i shkruan se nisur nga përvoja e mëparshme e di sa e vështirë është të jesh kryeparlamentar i një Kuvendi ku konfliktualiteti i dy palëve prej dekadash është konsoliduar si sporti më argëtues për tifozët e udhëheqësve respektivë, të cilët prej ndryshimeve kushtetuese të vitit 2008 filluan të zbresin edhe nga lozhat e spektatorëve direkt në karriget e deputetëve.
“Vetëm kësaj pakice, që nuk njeh rotacion por njeh vetëm PPP me të gjitha qeveritë, i intereson kjo krize e përgjithshme që ka rrëzuar të gjithë sistemin e llogaridhënies në vend si në nivel qendror edhe vendor”.
Kjo që po ndodh në Kuvendin e Shqipërisë vjen pasi shumë prej përfaqësuesve të tyre që duhet të mbrojnë çdo ditë qytetarët e tyre u janë mbyllur sytë për të parë dhe veshët për të dëgjuar hallet e shqiptarëve.
“Por jo goja për të argëtuar liderët e tyre. Sepse kjo është e vetmja rrugë për të marrë firmën e tyre për në listën e radhës.
Ndaj është koha tani e jo më vonë për t’i hequr pushtetin e paligjshëm kësaj pakice dhe për t’i rikthyer sovranitetin e marrë tinëzisht qytetarëve shqiptarë dhe rivendosur parlamentarizmin në Kuvendin e Shqipërisë”.
Duke i kujtuar gjithashtu se dekretet e presidentit vetëm Gjykata Kushtetuese mund t’i shqyrtojë, Ilir Meta shprehet optimist se përvoja e Gramoz Ruçit, por edhe e deputetëve të tjerë, do e ndihmojë Kuvendin aktual të orientohet sa më drejtë në këtë kohë kritike për vendin dhe të ardhmen e tij evropiane./ABC News Albania 24/7