Aktivistët e mjedisit dhe zhytësit gjetën një surprizë të pakëndshme në ujërat e Egjeut pranë Greqisë dhe po punojnë për ta ndrequr. Ajo që dukej si një brez i bukur koralor ishte shndërruar në një vend mbeturinash.
Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Arash Arabasadi, kjo është vetëm një nga sfidat e shumta me të cilat përballet ekosistemi delikat i deteve.
Shtrati shumëngjyrësh i detit mahnit me bukurinë e tij pranë ishullit grek Andros.
Por, kur e panë më nga afër, zhytësit u befasuan nga ajo që zbuluan.
“Ishin qese të ngjyrave të ndryshme që valëviteshin. Ishte vërtet tronditëse për të gjithë ne që e pamë”, thotë Arabella Ross, vullnetare me organizatën “Aegean Rebreath”.
Ky brez i mahnitshëm koralor në këtë det kristal të pastër është pushtuar realisht nga qeset plastike.
“Parafytyroni detin e Karaibeve ku gjeni korale të të gjitha ngjyrave. Ishte saktësisht e këtillë, por në vend të koraleve kishte qese plastike”, thotë zonja Ross.
Organizata si “Aegean Rebreath” pastrojnë ujërat pranë bregdeteve. Ata heqin sasira të pafundme mbeturinash dhe testojnë nivelin e ndotjes.
“Dikur mendonim se oqeani është i pamatë dhe nëse hedh diçka nuk shkakton ndonjë dëm. Por, mikro-plastikat funksionojnë si magnete… Ato tërhqein kimikate dhe hormone, të cilat më pas hyjnë në zinxhirin ushqimor. Hyjnë në peshqit që ne hamë dhe ndodhen kudo rrotull nesh. Është toksike për njerëzit”, thotë zonja Ross.
Zhytësit hoqën rreth 300 kilogramë rrjeta peshkimi, dhjetëra kilogramë plastikë të hedhur që kishte ngecur mes shkëmbinjve. Por, kjo ishte vetëm një pjesë e vogël.
“Edhe sikur të ishim 60 veta që do të punonim për pesë ditë, nuk do t’i kishim mbledhur dot të gjitha mbeturinat që gjetëm”, thotë zonja Ross.
Greqia prodhon çdo vit rreth 700 mijë tonë mbetjesh plastike. Nga këto, 11 tonë e gjysëm hidhen në det dhe pjesa më e madhe e tyre rikthehet në bregdet.
Kjo është vetëm një kujtesë jo e këndshme për vetëm një nga rreziqet për jetën detare në mbarë globin./VOA