Peizazhi me mjegull që rrethon jahtin 15 metra “Andromeda” dhe shpërthimi në tubacionet Nord Stream në Balltik, tenton të zbardhë një çështje që mund të ketë lidhje me njera-tjetrën.
Raporti i gazetarëve hulumtues Dirk Banse, Alexander Dinger, Nathan Giwerzew, Ulrich Kraetzer dhe Tim Röhn, si dhe kryeredaktori i Gazetarisë Hulumtuese Hans-Martin Tillack thekson, ndër të tjera, se Marina Hohe Dune në Rostock-Warnemünde, Mecklenburg-Pomerania Perëndimore është një marinë moderne, me qindra varka të ankoruara.
Nëse duhen besuar raportet e ARD dhe Time, kjo “zonë ideale për aventurierët” ishte pika fillestare për një operacion sabotazhi spektakolar: Sulmi në tubacionet Nord Stream disa muaj më parë.
Atje përgjegjësit dyshohet se vendosën qindra kilogramë eksploziv në ‘Andromeda’, një jaht 15 metra. Më 6 shtator, anija thuhet se u nis për në zonën detare pranë Bornholm. Misioni ishte të hidhte në erë tubacionet në Balltik.
Autorët dyshohet se janë zhytur pranë tubacioneve dhe kanë vendosur lëndën plasëse, raporton abcnews.al.
Pyetja që lind për dikë që merret me këtë çështje në detaje është: A kanë ndodhur vërtet gjërat kështu?
Dëshmitë tregojnë se anija cisternë prej 183 metrash, me flamur grek lundronte që prej 5 shtatorit dhe prej tetë ditësh në veri të Bornholmit, në zonën ku dy tubat e Nord Stream shpërthyen pak më pas.
Minerva Julie nuk është një anije e rastësishme, raporton Welt. Ajo ishte ankoruar në disa porte ruse që nga shpërthimi i luftës së agresionit të Rusisë në Ukrainë. Kompania greke e transportit Minerva Marine Inc. është kritikuar disa herë për transaksionet në dukje të ligjshme, të eksportit të naftës nga Rusia.
Tashmë më 13 shtator, gati dy javë para shpërthimit të 26 shtatorit, Minerva Julie u largua nga zona dhe sipas të dhënave të saj të gjurmimit lundroi drejt Shën Petersburgut.
Meqenëse Andromeda thuhet se lundroi nga porti në Wiek, Rügen më 7 ose 8 shtator, anijet mund të ishin “përplasur” në det.
“Pse jahti u largua kur Minerva Julie po kalonte pikërisht në zonën ku ndodhi shpërthimi Nord Stream 1?” pyet analisti danez i të dhënave Oliver Alexander, duke folur për Welt Am Sonntag.
Nuk ka asnjë provë, të paktën deri tani, që Andromeda dhe Minerva Julie kanë lidhje me njëra-tjetrën. Dhe është gjithashtu e paqartë nëse ekuipazhi i anijes cisternë u mor në pyetje kohët e fundit nga Policia në portin e Hamburgut, raporton abcnews.al.
Ndoshta e gjitha është thjesht një rastësi. Ekuipazhi i anijes “mund të ketë qenë duke pritur për një ngarkesë dhe për këtë arsye po qëndronte në zonë për ditë të tëra, thotë Stefan Krüger, profesor në Institutin e Sigurisë së Anijeve në Hamburg.
Në të vërtetë, kompania që kishte në pronësi Minerva Julie tha se ekuipazhi ishte në pritje të “udhëzimeve” ndërsa lundronte nga Bornholm dhe më pas nisi udhëtimin e tij për në Talin, Estoni.
Kjo është një procedurë normale dhe janë respektuar të gjitha rregulloret, theksoi kompania pronare e anijes dhe siguroi se është në dispozicion të autoriteteve në çdo moment, për t’iu përgjigjur pyetjeve të mundshme.
/abcnews.al