“Babalja”/ Gjyqtarja e “vulës” do të vendosë për kërkesën e Salianjit në Apel

schedule13:40 - 7 Mars, 2023

schedule 13:40 - 7 Mars, 2023

Pas vulës së PD, shorti përplas sërish gjyqtare Elona Mihali me demokratët.

Këtë herë elektronika ka përcaktuar se Elona Mihali do të jetë gjyqtarja që do të vendosë me kërkesën e deputetit Ervin Salianji, në proces si i pandehur, për shkarkimin e gjyqtares Edlira Petri.

Kujtojmë se ishte pikërisht Elona Mihali, kryesuese e trupit gjykues që më 3 mars vendosi të kthejë cështjen e vulës dhe siglës së PD, në gjykatën e shkallës së parë, duke rrëzuar kështu Rithemelimin e Sali Berishës.

Në seancën e së martës, deputeti Ervin Salianji kërkoi përjashtimin e kryesueses Edlira Petri me argumentin se ajo është bashkëshorte e gjyqtarit të gjykatës së Lartë Sokol Sadushi, që ka shqyrtuar një kërkesë të Salianjit e cila është refuzuar më herët nga Petri. Bëhet fjalë për përjashtimin e gjyqtarit Artan Gjermeni që ka dënuar me 1 vit burg Salianjin me akuzën e kallëzimit të rremë.

Po kështu sipas Salianjit, gjyqtarja Petri ka marrë pjesë në debatin e brendshëm të Partisë Demokratike për rastin e vulës në cilëisnë e gjyqtares së medias dhe në të njëjtën kohë ka përshpejtuar datën për procesin ndaj tij në kundërshtim me ligjin. Një tjetër argument ishte se, Petri ka lidhje familjare me vëllain e Geron Xhafës që ai e denoncoi për trafik droge, Fatmir Xhafën.

Ervin Salianji u shpall fajtor nga gjykata e shkallës së parë në vitin 2019-të me akuzën e Kallëzimt të rremë’ dhe u dënua me 1 vit burg. Ndërsa gazetari Jetmir Olldashi, u dënua me 6 muaj burg që iu konvertua në 100 orë punë në komunitet. Nëse Apeli do të konfirmojë vendimin e Shkallës së Parë, Salianji, do të vuajë dënimin me burg.

Njoftimi i gjykatës: 

Në vijim të komunikimit, mbi çështjen penale me të pandehur Jetmir Olldashi dhe Ervin Salianji, akuzuar për kryerjen e veprës penale “Kallëzim i rremë” i kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 305 dhe 25 të Kodit Penal, viktim/kallëzues i veprës penale, shtetasi Geron (Agron) Xhafaj,  Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, ju informon si më poshtë:

-Kërkesa me nr. 1650 prot, datë 07.03.2023, bërë nga i pandehuri Ervin Salianji dhe kërkesa me nr. 1651 prot, datë 07.03.2023, bërë nga përfaqësuesi i të pandehurit Jetmit Ollashi, av. Indrit Sefa, për përjashtimin e gjyqtares Edlira Petri, në bazë të shortit elektronik, do të shqyrtohet nga gjyqtare Elona Mihali./abcnews.al