Pompeo: Trump do tërheqë trupat ushtarake nga Afganistani brenda 2020

schedule13:30 - 30 Korrik, 2019

schedule 13:30 - 30 Korrik, 2019

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo deklaroi se kreu i Shtëpisë së Bardhë synon të tërheqë të gjithë trupat ushtarakë amerikanë nga Afganistani para zgjedhjeve presidenciale të 2020-s.

Presidenti amerikan Donald Trump dëshiron të nisë tërheqjen e trupave ushtarake amerikane nga Afganistani para zgjedhjeve presidenciale të 2020-s, ku do të garojë për një mandat të dytë. Deklarata u bë nga sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo. Kreu i diplomacisë amerikane u shpreh se negociatat me talebanët kanë lejuar që të ketë progres real dhe se ai ndihej shumë optimist për situatën.

Gjatë vitit të parë të presidencës, këshilltarët i propozuan Trump që të rriste numrin e ushtarëve në Afganistan, duke pohuar domosdoshmërinë për të shmangur faktin që talebanët të rimerrnin në dorë kontrollin e plotë të vendit. Ndër të tjera, ata e paralajmëruan për rrezikun se Afganistani mund të kthehej në një bazë për sulme të reja terroriste kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Trump vendosi të ndjekë këshillën e stafit të tij. Gjatë një fjalimi për situatën në Afganistan në Gusht të 2017-s, kreu i Shtëpisë së Bardhë shprehej se instikti i tij i parë ishte për tërheqjen e trupave dhe se zakonisht atij i pëlqente të ndiqte instiktin. Por nga ana tjetër ai shtoi se vendimet janë shumë ndryshe kur je i ulur në tryezën e zyrës ovale.

Duke parë progreset pas dy vitesh presidencë, Trump u ankua te këshilltarët e tij duke vendosur që të niste tërheqjen e trupave ushtarake amerikane nga Afganistani. Sipas sekretarit amerikan të Shtetit Pompeo kjo është një mënyrë për të reduktuar dhunën dhe rreziqet terroriste në Shtetet e bashkuara të Amerikës.

Një javë më parë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Afganistani publikuan një deklaratë të përbashkët për shtyp ku theksohej se të dyja palët synonin përshpejtimin e procesit të paqes për t’i dhënë fund luftës si dhe për të reduktuar praninë amerikane në vend./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!