Dr.Shkc.Lida Shosha, kirurge koloproktologe pranë Spitalit Amerikan 1, ka folur këtë të hënë për sëmundjet tumorale të zorrës së trashë. E ftuar në “ABC e Mëngjesit”, ajo ka treguar faktorët që ndikojnë në krijimin e tumorit të zorrës së trashë, duke filluar nga faktorët gjenetikë deri te obeziteti.
Shosha ka theksuar që të gjithë mbi moshën 50-vjeç pa pasur probleme, duhet të bëjbë një konsultë për të parë shëndetin e zorrës dhe nëse kanë familjarë të prekur nga kjo patologji, ekzaminimi duhet të fillojë poshtë moshës 50-vjeç.
“1 në 20 persona gjatë jetës do të preken nga tumori i zorrës. Në Amerikë për shembull në vitin 2020 kanë humbur jetën 1.9 milionë njerëz. Kjo shifër është shumë herë më e ulët në periudha të tjera. Ndikojnë më shumti faktorët gjenetik, janë mutacionet që përjeton ADN-ja e organizmit. Nuk dihet pse në një moment të caktuar një person pëson një mutacion në zinxhirin e tij gjenetik dhe kjo bën që të krijohet dhe shpërthej tumori, ashtu si kundër është edhe për shumë tumore të tjera. Por faktorët e tjerë, janë faktorë kontribues. Nuk janë faktorë shkaktues direkt, janë faktorë kontribues që lidhen me lifestyle, me mënyrën e ushqyerjes. Sot një problem shumë i madh është obeziteti, i cili po kthehet në një problem madhor në shoqërinë shqiptare. Dikur shikonim në Amerikë personat me masë extra large, tani i shikon edhe në rrugët e Tiranës. Madje, shikon fëmijë, të cilët janë tmerrësisht shumë obez, edhe sigurisht obeziteti është precedent për shumë patologji pastaj, duke përfshirë patologji kardiake, diabetike ose artikulare. Sidomos faktor kontribues njihet edhe për tumorin, por është edhe kombinacioni i duhanpirjes me alkoolit.
Mbi moshën 50-vjeç pa pasur probleme, duhet bëjnë një konsultë për të parë shëndetin e zorrës dhe padyshim në këtë moshë ekzaminimi bazik që i japim kur je mbi 50-vjeç është kolonoskopia, sepse jep informacion të saktë direkt mbi një problematik të shëndetit të zorrës. Nëse kanë familjarë të prekur nga kjo patologji, ekzaminimi duhet të fillojë poshtë moshës 50-vjeç. Pra, nëse ti ke një histori familjare rritet më shumë shanci që t’i të prekesh nga një patologji tumoriale. Kjo është kur pacientët nuk kanë asnjë lloj patologjie. Ndërsa, kur kanë problematika mund të adresohen në çdo kohë te mjeku”, u shpreh ajo./abcnews.al