Akuzat e Berishës pas vendimit të Apelit, Çollaku: Standard i dyfishtë

schedule17:50 - 4 Mars, 2023

schedule 17:50 - 4 Mars, 2023

Ashtu sikurse edhe pritej, Sali Berisha sulmoi kryeministrin Edi Rama duke e akuzuar se ka ndikuar në vendimin e Gjykatës së Apelit për çështjen e Partisë Demokratike. Në një deklaratë për mediat nga selia blu, Berisha theksoi se vendimi ishte i përgatitur në zyrën e kryeministrit Edi Rama.

I pyetur për këtë gjatë intervistës për Abc News, deputeti demokrat Kreshnik Çollaku e cilësoi si një standard të dyfishtë. Ai tha gjithashtu se gjatë mbledhjes që do të mbajnë ditën e hënë do të propozojnë që pavarësisht ndasive brenda partisë, të hyjnë në zgjedhje me një kandidat të përbashkët.

“Standard i dyfishtë. Pse nuk e thamë këtë gjë për Zhukrin. Pse nuk ndërhynë tek Zhukri dhe jo tek këta. Do të isha i gatshëm të pranoja çdo lloj verdikti që të ishte. Unë nuk do të dilja nga sigla e PD. Jam deputet i kësaj partie dhe nuk dal nga partia.”, tha mes të tjerash gjatë intervistës Çollaku.

Sa i përket pyetjes nëse Berisha do të duhet ta lirojë zyrën, ai tha: “Struktura e rithemelimit qëndron në seli për shkak të vendimit të shkallës së parë të Zhukrit. Kjo e dyta është vendim i formës së prerë dhe i bie në mënyrë etike të lirojë zyrat për drejtuesit e tjerë që gjykata ka përcaktuar si legjitim.”

Sipas Çollakut, pas zgjedhjeve ata mund të hapin një proces të rregullt për të zgjedhur kreun e partisë. Siç shtoi ai gjatë intervistës, nëse një gjë e tillë nuk ndodh dhe PD nuk hyn bashkë në zgjedhje, nuk do të jetë më e përçarë si deri më tani, por do të ndahet plotësisht si parti./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!