“Duhet të kemi një kandidat të përbashkët, jo me Metën”, Çollaku: Pas zgjedhjeve, hapim një proces për drejtimin e PD-së

schedule17:45 - 4 Mars, 2023

schedule 17:45 - 4 Mars, 2023

Deputeti Kreshnik Çollaku, në një intervistë me Skype për Abc News, komentoi vendimin e Gjykatës së Apelit për PD. Ai e cilësoi retorikën e përdorur nga Sali Berisha si të tepruar ndërsa shtoi se do të propozojë që të dy PD-të të bashkohen për të nxjerrë një kandidat të përbashkët për zgjedhje.

“Unë pres të mos largohet njeri. Të gjithë janë në shtëpinë e tyre. Gjykata ka vendosur se kush është forumi legjitim dhe statuti i PD. Të gjithë janë demokratë. Askush nuk ka të drejtë të ftojë askënd. Çdo kush është i lirë të rrijë apo të shkojë në shtëpinë tjetër. Të gjithë janë anëtarë e PD.

E vetmja sfidë që kemi përpara është 14 maji. Nga ajo situata e ndarë brenda partisë të gjithë jemi të dëmtuar. Ne kemi thirrur një mbledhje të PD të hënën dhe do të kërkoj që të shikohet mundësia që të bëhet çdo gjë që të shkohet në zgjedhje me kandidat të përbashkët.

Dhe pse jo, ata kandidatë edhe pse u bënë me proces të njëanshëm, nuk ka asgjë të keqe që një kandidat cilësor, të mos regjistrohet nën siglën e PD, të ndarë, unik dhe të pacopëtuar. Mendoj se duhet ta kryejmë këtë proces në mënyrë të shpejtë. Të ftojmë të gjithë kandidatet e primareve të kandidojnë në siglën e PD.”, tha ai.

Më tej, ai u shpreh kundër disa kandidaturave demokrate nën siglën e Partisë së Lirisë. Ai shtoi se problemin sa i përket kryetarit të PD-së mund ta zgjidhin pas zgjedhjeve vendore. Sipas Çollakut, nëse një gjë e tillë nuk ndodh, atëherë do të ketë një ndarje përfundimtare të PD-së.

“Nuk ka asnjë arsye që Luciano Boçi të kandidojë në sigël tjetër dhe jo në atë të PD-së. Apo Igli Care apo Bardhi në Shkodër. Mendoj se është një festë e sinqertë që të vijnë edhe të kandidojnë nën siglën e PD. Jemi brenda një familje politike. Nuk mund të sakrifikohet PD për çdo rivalitet të brendshëm.

Ne i vazhdojmë debatet tona edhe pas zgjedhjeve lokale. Është e pakuptimtë që të regjistrohen në sigla të tjera duke qenë se janë demokrate. Na ndajnë disa gjëra por ka shumë që na bashkojnë. Kjo është PD si do të doja të vazhdojë të jetë. Ne e kemi dëmtuar njëri tjetrin.

Pas zgjedhjeve lokale të hapet një proces zgjedhor pajtues, bëjmë listat e pastra. Votojnë njerëzit dhe kush ka shumicën e njerëzve të drejtojë partinë. Nëse rast kjo ndodh PD qëndron e bashkuar, nëse nuk ndodh ky hap do të prodhojë një ndarje të Partisë Demokratike.”, tha Çollaku./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!