Eros Grezda nuk është në planet e Rangers për këtë sezon. E ardhmja e tij duket larg Skocisë. Megjithatë trajneri Steven Gerrard ka konfirmuar për mediat lokale se nuk ka pasur asnjë ofertë që mund të pranohej nga Rangers këtë verë për Eros Grezdën. Më herët u raportua se Grezda do të shkonte në Francë tek Brest për një shumë prej 1.75 milionë Paundësh, por deri më tani asgjë nuk është konfirmuar.
“Kemi pasur dy ose tre kërkesa për huazim për Erosin, por këto nuk i plotësojnë pritshmëritë tona për momentin”, është shprehur Gerrard.
Sulmuesi i kombëtares shqiptare u ble nga Rangers për 2 milionë Paund verën e kaluar. Gerrard ka bërë të ditur se nuk do të pranojë oferta të ulëta për lojtarin vetëm sepse ai nuk është pjesë e planeve për të ardhmen. Në fakt, Grezda nuk ka qenë pjesë as e parapërgatitjeve sezonale për skuadrën. Mediat shkruajnë se pas vetëm 7 ndeshjeve si titullar, Grezda është një prej blerjeve më të dobëta të skuadrës skoceze./abcnews.al