Aktivistja e shoqërisë civile dhe juristja Brizida Gjikondi, e ftuar në studion e Abc News, tha se Gjykata e Apelit mund ta rikthejë çështjen për rigjykim. Gjatë intervistës në Tirana Live, ajo tha se vendimi që është marrë nga gjyqtari Agron Zhukri ka sjellë këtë situatë në të cilën ndodhet Partia Demokratike.
“E kam thënë që në fillim që pres që Apeli ta çojë për rigjykim në themel këtë vendim duke qenë se vendimi që është marrë nga Zhukri ka lënë shkas që të kemi këtë degradim. Vendim që nga ana ligjore lë shumë për të dëshiruar që Apeli ose do të ketë kurajo t’i vë emrin dhe vulën atij vendimi ose do ta përcjellë që t’i rrëshkasë përgjegjësive dhe ta ri çojë sërish për gjykim në Tiranë, çka do të jetë humbje për Berishën.“, u shpreh Gjikondi.
Ndërkaq, duke u ndalur edhe tek pankarta e vendosur para gjykatës ku thuhej se “në demokraci opozitën e zgjedh populli dhe jo gjykata”, Gjikondi tha se kjo bëhet për të ushtruar presion.
“Është bërë për presion ndaj gjykatës. Berisha është mjeshtër 30 vjeçar i nxirjes së jetëve së shqiptare dhe influencës mbi çdo pushtet të pavarur. Të tre gjyqtarët që janë sot nuk janë me emër në vendimmarrjet politike të Shqipërisë. Shpresoj që të marrin një vendim që i shërben fateve të Shqipërisë dhe jo vetëm interesave të ngushtë të Berishës.”, tha ajo./abcnews.al