Arsenal i “uritur” për fitore, Ramsdale: Luajmë sikur jemi në vendin e 10-të

schedule20:48 - 2 Mars, 2023

schedule 20:48 - 2 Mars, 2023

Ky edicion i Premier League është padyshim fantastik. Arsenal drejt titullit kampion dhe pas tyre në renditje dy “gjigandët” e Manchester, City dhe United, që presin hapin “fals”, të “topçinjve”.

Mirëpo, djemtë e Arsenal të udhëhequr nga Mikel Arteta duket se e kanë marrë shumë seriozisht garën për titull dhe nuk duan të “humbasin” asnjë rast. Një gjë të tillë e ka konfirmuar dhe “gardiani” i portës së “topçinjve”, Aaron Ramsdal, i cili tha se të gjithë futen në fushë e luajnë sikur ndodhen në vendin e 12-të të tabelës.

“Normalisht nuk jemi në një situatë ku ne kemi qenë më parë, nuk dimë shumë mirë si ta menaxhojmë këtë moment. Ndaj, ne futemi në fushë dhe luajmë sikur jemi në vendin e 10-të apo të 12-të, jo sikur jemi në krye të kampionatit. Në këtë formë, së bashku me shokët do të mundohemi të fitojmë sa më shumë ndeshje të mundemi.

Kjo skuadër po ecën përpara dhe në organikën e saj ka lojtarë të cilët kanë fituar tituj, por ka edhe nga ata që po luajnë futbollin më të mirë të karrierës. Megjithatë, dua të theksoj se në rast se humbet një ndeshje nuk është fundi i botës sepse përndryshe do të isha mbyllur në shtëpi dhe nuk do të merresha me këtë sport. Sigurisht dua të fitoj gjithnjë, por duhet edhe ta shijojmë fushën”,- tha në fjalët e tij, Ramsdale. /i.m /abcnews.al