Egan Bernal është fituesi më i ri i Turit të Francës që pas Luftës së Dytë Botërore. Kolumbiani u mbrojt në Alpet e Europës dhe u bë i pari kampion nga Amerika e Jugut.
Ishte dita e lamtumirës, dhe e së vërtetës. Turi I Francës pati kënaqësinë të përshkonte për herë të fundit këtë vit shtigjet alpine, një itinerar që do të përcaktonte edhe fituesin e 2019-ës.
Nga qyteza e Albertvilit në lartësinë e Luginës së Torenës, 2 300 metra mbi nivelin e detit, u zhvillua drama përmbyllëse e garës më të madhe të çiklizmit në botë.
Kampionët pedaluan fort në këtë zonë historike blegtorie, industrie dhe turizmi që lidh Francën, Italinë dhe Zvicrën, një lloj mini Europe e bashkuar.
Në këto rrugë që të kujtojnë Llogaranë apo Kërrabën, Egan Bernal mbrojti me sukses Fanelën e Verdhë, duke u bërë njeriu I tretë më I ri në të gjitha kohët që fiton Turin, si dhe I pari nga Amerika Latine që ia del.
Spektakli nuk ishte I plotë, pasi natyra I tha “ndal” njeriut, ashtu siç bëri edhe të premten në etapën e 19-të, sërish në Alpe.
Nga 130 km të parashikuara, u përshkuan vetëm 59, por s’ke ç’bën, murit me kokë nuk I bihet.
Triumfator I ditës doli italiani Vinçenco Nibali, kampion I Turit në 2015, që tregoi gjithë krenarinë e një çiklizmi me tradita të mëdha si ai I Italisë.
Bernal, po ashtu, e arriti objektivin e tij të madh, fitoren e Rrethit Çiklistik të Francës.
Kolumbiani, më i riu si Fanelë e Verdhë pas Luftës së Dytë Botërore, kaloi cakun pranë shokut të tij të skuadrës, Xhereint Tomasit, fitues I vitit të kaluar. /ABC News Albania 24/7