Pekini ka publikuar librin e bardhë të mbrojtjes kombëtare, duke paralajmëruar Tajvanin se Kina është gati të përdorë të gjithë forcën e saj ushtarake për të mos lejuar ndarjen.
Kina deklaroi se nuk do të heqë dorë nga përdorimi i forcës për të ribashkuar Tajvanin dhe premtoi se do të marrë të gjitha masat ushtarake të domosdoshme për të mundur separatistët. Në librin e bardhë për mbrojtjen kombëtare të publikuar ë mërkurën, Kina renditi ndër prioritetet kryesore vullnetin për të përmbajtur pavarësinë e Tajvanit dhe për të luftuar forcat separatist në Tibet.
Dokumenti bën të qartë linjën e politikës së mbrojtjes kombëtare të Kinës. Në raport Pekini thekson qëndrimin mbrojtës të Kinës por premton se do të reagojë nëse do të sulmohet. Zëdhënësi i ministrisë kineze të mbrojtjes pohoi se kërcënimi i separatizmit të Tajvanit po rritet dhe paralajmëroi ata që kërkojnë pavarësinë e Tajvanit, se po shkojnë në një rrugë qorre. Ushtria kineze do të luftojë me këdo që guxon të ndajë Tajvanin nga Kina. Do të mbrojmë unitetin Sovran të vendit dhe integritetin territorial, shtoi ai.
Tajvan u nda nga Kina kontinentale gjatë luftës civile në vitin 1949, në kohën e sundimit të partisë komuniste. Kina pretendon se Tajvani është pjesë e territorit të saj dhe kërkon ribashkimin e plotë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe pse nuk e njohin formalisht shtetin e Tajvan, në mënyrë të përsëritur kanë nxitur zemërimin e Pekinit duke i shitur armë Tapeit dhe duke i dhënë mjete për t’u mbrojtur. Javët e fundit shtetet e bashkuara të Amerikës miratuan përkohësisht një shitje armësh për Tajvanin me një vlerë prej 2.2 miliard dollarësh. Një vendim që detyroi Kinën të kërcënonte me sanksione kundër ministrisë amerikane të mbrojtjes. /ABC News Albania 24/7