Astrit Patozi dhe Dashamir Shehi arritën një marrëveshje për zgjedhjet vendore të 14 majit. Ata zyrtarizuan aleancën progresiste, për të cilën foli sot, i ftuar në studion e Special Report me moderatorin Arlind Isa edhe Fabian Topollaj nga radhët e Bindjes Demokratike.
Topollaj tha se duan të sjellin një tjetër vizion opozitar të ndryshme nga ajo që përfaqëson Sali Berisha dhe Ilir Meta. Ai theksoi se opozita aktuale ofron vetëm rotacion, gjë që sipas tij është i pamjaftueshëm, duke shtuar se është i nevojshëm ndryshimi i sistemit politik.
“Duam të sjellim një vizion tjetër opozitar. Opozita aktuale ofron vetëm rotacionin dhe është e pamjaftueshme. Shqipëria ka nevojë për ndryshim rrënjësor dhe duhet të fillojë nga sistemi politik. Nga ky sistem përfitojnë edhe kryetarët e partive kryesore opozitare sepse bëhen të pazëvendësueshëm sepse e kanë të patrazuar oborrin e tyre.
Të dyja palët janë kundër njëri tjetrit në çdo gjë, pra partitë opozitare me Ramën përveçse me sistemin politik sepse të dyja palët përfitojnë njësoj. Ne mendojmë se Shqipëria ka nevojë për një vizion opozitar dhe ndryshimi duhet të fillojë nga ndryshimi i sistemit politik në Shqipëri.“, tha ai.
Më tej, ai sqaroi se kanë vendosur që të garojnë veçmas nga partitë e tjera sa i përket këshillave bashkiakë por përsa i përket garës mazhoritare, Topollaj tha se opozita duhet të shkojë me një kandidat pasi përndryshe shanset për të fituar është pothuajse zero.
“Ne do të dalim më vete nga forcat e tjera në proporcional, për këshillat bashkiak, sepse kemi një vizion të ndryshëm ndërsa në mazhoritar, kërkohet një kandidat. Ne do të punojmë deri në fund që opozita të ketë një kandidat.”, tha Topollaj ndërsa më tej shtoi se:
“Nëse opozita nuk del me një kandidat shanset për fitore janë pothuajse zero. Normalja është të dalë me një kandidat. Ndarja në PD është shumë e thellë dhe në këtë situatë është e vështirë. Palët në PD janë ndarë se përfaqësojnë të njëjtin model politik, po zihen se kush do të ketë oborrin e PD.
Ata kanë përgjegjësinë dhe të lënë sherrnajat që të dalin bashkë sa i përket kandidatit. Nuk do të thotë që ata të bashkohen. Kandidati duhet të jetë një. Në të kundërt, nëse e kthejmë garën e mazhoritarit në një garë midis vetes dhe nxjerr secili kandidatin e tij. Edhe ne na lind e drejta që të futemi në këtë garë të renditjes. Prandaj duhet të dalim me një kandidat maxhoritar.”/abcnews.al