VIDEO/ Fiorentina “shpartallon” Bragën në Conference League, Redon Xhixha debuton me fitore në Evropë

schedule21:42 - 16 Shkurt, 2023

schedule 21:42 - 16 Shkurt, 2023

Kanë përfunduar 4 ndeshjet e para të kompeticionit më të ri evropian për klubet, UEFA Conference League, me favoritët që padyshim nuk kanë zhgënjyer në ndeshjet e para.

Më konkretisht Fiorentina “shpërfytyroi” Bragën në Portugali, me rezultatin e thellë 0 me 4, ku padyshim protagonist ishte dyshja Jovic-Cabral, me të dy sulmuesit që arritën të shënonin nga një dopietë ndeshjen e sotme. Fillimisht Jovic në minutat 46’-të e 60’-të e më pas Cabral në minutat 79’-të dhe 90’-të i japin goditjen e “knock-out”-it portugezëve.

Në krahun tjetër, Qarabagu i Redon Xhixhës ka arritur të fitojë me rezultatin minimal 1 me 0 ndaj belgve të Genk, pas golit të vetëm të shënuar nga Leandro Andrade në minutën e 78’-të. Minuta u sigurian dhe për ish-“bomberin” e Tiranës, me Xhixhën që zbriti në fushë në minutën e 79’-të duke bërë dhe debutimin e tij me skuadrën e Qarabag, në skenën evropiane.

Në Turqi, vendasit e Trabzonspor triumfoi gjithashtu me rezultatin minimal 1 me 0, ndaj zvicerianëve të Basel, ekip pjesë e të cilit është dhe “legjionari” Taulant Xhaka. Turqit dominuan pothuajse gjithë ndeshjen, me golin e vetëm që u shënuar në minutën e 65’-të, nga norvegjezi Stryger Larsen, duke u afruar kështu me kualifikimin në fazën tjetër.

Përballja e fundit ishte mes norvegjezëve të Bodo/Glimt dhe polakëve të Lech Poznan, ku pavarësisht dominimit total të norvegjezëve, ndeshja u mbyll me rezultatin e “bardhë” 0 me 0, duke e lënë tërësisht të hapur kualifikimin për në ndeshjen e radhës.

Ndërkaq, kujtojmë se ndeshjet e radhës për raundin e 1/16-ve të UEFA Conference League do të zhvillohen mbrëmjen e 23 shkurtit. /i.m /abcnews.al 

SHIKONI GOLIN:

Braga 0-4 Fiorentina
                     L. Jovic 46′, 60′
A. Cabral 79′, 90′

Qarbag 1-0 Genk
L. Andrade 78′

Trabzonspor 1-0 Basel
S. Larsen 65′