Partia liberale e kryeministrit japoneze Shinzo Abe, ka fituar zgjedhjet e përgjithshme në vend, dhe pse nuk ka arritur të marrë mazhorancën e duhur për të bërë ndryshimet kushtetuese.
Kryeministri japonez Shinzo Abe deklaroi fitoren e partisë së tij liberale dhe partnerit të koalicionit Komeito. Sipas rezultateve të publikuara, partia e Abe mori 71 nga 124 vendet në dhomën e lartë të parlamentit në Japoni, vetëm pak pikë poshtë mazhorancës së plotë, e domosdoshme për të modifikuar kushtetutën. Një objektiv të cilin kryeministri japonez e ka vendosur prej vitesh. Ai do të donte amendimin e artikullit 9 të kushtetutës, duke i dhënë një rol më të gjerë forcave të vetëmbrojtjes. Partia kryesore e opozitës, partia kushtetuese demokratike, mori 53 vende.
Në deklaratën për media pas publikimit të rezultateve Abe u shprehu mirënjohjen atyre që e votuan duke zgjedhur mes qëndrueshmërisë dhe kaosit. Për sa i përket ndryshimeve në kushtetutë Abe u shpreh se do të mbahej një referendum kombëtar, pasi japonezët duhet të thonë fjalën e tyre për këtë temë. Shinzo Abe është në krye të qeverisë që nga viti 2012, por dhe më parë ka qenë kryeministër në periudhën 2006 – 2007. Në muajin nëntor 64 vjeçari do të thyejë rekordin e Taro Kastura – tre herë në krye të ekzekutivit në vitet 1901 – 1913 – duke u bërë kryeministri më jetëgjatë në historinë e Japonisë. /ABC News Albania 24/7