GJERMANI – Udhëheqësit botërorë do të ndjekin këtë javë Konferencën e Sigurisë në Mynih ndërsa po afron përvjetori i fillimit të sulmit të Rusisë në Ukrainë, si dhe po rriten tensionet mes Kinës dhe Shteteve të Bashkuara me akuza për spiunazh.
Nënpresidentja amerikane Kamala Harris, diplomati i lartë kinez Wang Yi, Kancelari gjerman Olaf Scholz, Presidenti francez Emmanuel Macron, si dhe kreu i NATO-s Jens Stoltenberg do të jenë pjesëmarrës në takimin treditor.
Aktiviteti që fillon të premten, mbahet vetëm pak ditë përpara përvjetorit të datës 24 shkurt, kur Rusia dërgoi forcat e saj ushtarake në Ukrainë, duke ia rikthyer kështu luftën Evropës për herë të parë pas dekadash të tëra.
Ndërkohë që Ukraina po përgatitet për ofensivën e re të Moskës, udhëheqësit pritet të konfirmojnë angazhimin e tyre për të mbështetur Kievin për aq kohë sa do të duhet për të zmbrapsur agresionin rus.
Një vit pasi Presidenti rus Vladimir Putin urdhëroi sulmin, konferenca në Mynih do të përballet me pikëpyetjen se si mund të respektohet rendi botëror i bazuar në rregulla, tha kryetari i konferencës Christoph Heusgen.
“Në të ardhmen, a do të ketë një rend ku dominon forca e ligjit? Apo do të ketë një rend ku mbizotëron ligji i më të fortit?”, pyeti ai gjatë një konference për shtyp.
Çështja se si duhen trajtuar personat, udhëheqësit politikë, që nuk respektojnë shtetin ligjor do të jetë në axhendë, tha ai.
Tensionet SHBA-Kinë ka gjasa të jenë në plan të parë gjatë takimit në qytetin gjerman, ndërsa marrëdhëniet janë përkeqësuar që kur Uashingtoni rrëzoi një balonë spiune kineze në fillim të shkurtit.
Pekini ka këmbëgulur se balona ishte për qëllime civile dhe të hënën kundërsulmoi duke i akuzuar Shtetet e Bashkuara se ka dërguar balona përmes territorit kinez – një pretendim që u hodh poshtë me shpejtësi nga Uashingtoni.
Zoti Heusgen tha se nuk mendon që zoti Wang do të shfrytëzojë fjalimin në këtë aktivitet për të thënë “ndjesë, ishte balona jonë spiune që kaloi në qiej”.
Por, ai shtoi se shpreson se “do të ketë bisedime… në kuadrin e takimit. E kam thënë tashmë se do të kemi një delegacionin amerikan të nivelit të lartë që do të marrë pjesë”.
Marrëdhëniet mes dy vendeve me ekonomitë më të mëdha në botë janë përkeqësuar gjatë viteve të fundit, për shkak të çështjeve që nga të drejtat e njeriut në Hong Kong, deri tek politikat ekonomike dhe trajtimi i minoritetit mysliman ujgur në Xinjiang./VOA