Edhe pse në fushën e blertë po kalon një sezon fantastik, për “fantazistin” e Brazilit dhe PSG, Neymar duket se telashet jashtë futbollit nuk kanë fund.
Sipas mediave franceze, Kryebashkiaku i provincës Bougival, ku jeton dhe braziliani, Luc Wattelle dhe fqinji i tij kanë denoncuar 31-vjeçarin për prishje të qetësisë publike, nga festat e zhurmshme që “ylli” i PSG organizon në shtëpinë e tij, ku rasti më i fundit ishte ai i mbrëmjes së 5 shkurtit, ditë kjo që përkon dhe me ditëlindjen e Neymar.
Ligjet e bashkisë nuk mund të bëjnë shumë për të parandaluar festimet e “Ney-ney”, i cili mund të paguajë lehtësisht gjobën prej 45 eurosh dhe për këtë aryse Kryebashkiaku është i vendosur që ta çojë çështjen e Neymar, deri në prokurori dhe këtë e pohon vetë ai në fjalët e tij.
“Nuk ishte vetëm një zhurmë sfondi. Ka qenë shumë e bezdisshme. Ne mund t’i shkruajmë gjërat, por çfarë i bëni dikujt që nuk i intereson të paguajë 45 euro me atë që fiton. Në një moment të caktuar do të dërgojmë dosje në Prokurorinë Publike për probleme të përsëritura të rendit publik”,- shpjegon Wattelle për prestigjiozen franceze, “Le Parisien”.
Mesa duket, tanimë Neymar duhet të “punojë” për gjetjen e një zgjidhjeje të këtij problemi, në rast se nuk do që herën tjetër t’ia prishë festën, prokuroria franceze. /i.m /abcnews.al

