Në listën e lojtarëve më të mirë deri në këtë pikë të sezonit futbollistik në kampionatet evropiane, padyshim që është dhe emri i 23-vjeçarit hollandez, Cody Gakpo, i cili këtë fraksion merkatoje që sapo lamë pas u transferua nga “gjigandët” hollandezë të PSV, drejt Liverpool.
Një koment mbi këtë lëvizje “të papritur” e ka bërë dhe ish-trajneri i Gakpo, sulmuesi legjendar i “tulipanëve” dhe Manchester United, Ruud van Nistelrooy, i cili u shpreh shumë i habitur për lëvizjen e Gakpo, duke qenë se “ëndrra” e tij ishte të luante në “Old Trafford”.
“Lëvizja e ëndrrave të Gakpo ishte Manchester United, ai ishte në kontakt me Ten Hag që nga gushti. Unë gjithashtu doja që ai të shkonte “djajtë”, jo vetëm sepse është klubi im dhe unë i dua ata, por edhe sepse ata janë më të mirë se Liverpooli dhe ofrojnë shumë më tepër potencial për lojtarët e tyre.
E paralajmërova atë që të presë tregun e transferimeve të verës së ardhshme. Diçka ndodhi dhe ai ndaloi së ndjekuri këshillat e mia, Van Dijk foli me të dhe e bindi të nënshkruante për Liverpool”,- është shprehur van Nistelrooy për lëvizjen e papritur të “tulipanit” 23-vjeçar.
Ndërkaq, kujtojmë se Gakpo pati një fillim fantastik të sezonit, ku në 24 ndeshje për PSV-në shënoi 13 gola dhe asistoi 18 të tjerë. Botërori i Katarit shkoi gjithashtu në mënyrë fantastike për të riun, ku në 5 paraqitje shënoi 2 gola për “tulipanët” dhe dhuroi 1 asist. Ndërsa, te Liverpool duket se e ka zënë “ngërçi”, pasi nuk ka shënuar apo asistuar asnjë gol në 6 ndeshje. /i.m /abcnews.al