Martin Griffiths, Nënsekretari i Përgjithshëm i OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare, tha që nga shpërthimi i konfliktit të armatosur në Ukrainë, pothuajse një vit më parë, pothuajse 8 milionë njerëz janë larguar nga vendi dhe 5,3 milionë të tjerë janë zhvendosur brenda territorit të Ukrainës.
Duke iu drejtuar mbledhjes së Këshillit të Sigurimit në Nju Jork, Griffiths theksoi gjithashtu se 17.6 milionë qytetarë të Ukrainës ose rreth 40% e popullsisë kanë nevojë për ndihmë humanitare.
Zyrtari më i lartë i Kombeve të Bashkuara tha se do të paraqesë planin e këtij viti për ndihmën humanitare në Ukrainë, që sipas tij do të kushtojë 3.9 miliardë dollarë.
Sipas Griffiths, të paktën 7,000 civilë janë vrarë që kur ushtria ruse pushtoi Ukrainën më 24 shkurt 2022, bazuar në shifrat e verifikuara nga OKB-ja. Megjithatë, numri aktual i viktimave është padyshim më i lartë, theksoi ai.
Siç ka theksuar Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR), lufta në Ukrainë ka shkaktuar krizën më të madhe të refugjatëve që nga Lufta e Dytë Botërore.
/abcnews.al