Shumë vende kanë nxituar të dërgojnë ndihma, personel dhe pajisje për të ndihmuar përpjekjet e shpëtimit në zonat e goditura nga tërmeti në Turqi dhe Siri. Mëngjesin e së hënës, një tërmet me magnitudë 7.8 goditi të dy vendet, me një pasgoditje me magnitudë 7.5 disa orë më vonë.
CNN raporton se numri i viktimave ka shkuar në 2.700 ndërsa mbi 13 mijë janë plagosur në të dy vendet. 1651 viktima janë konfirmuar në Turqi ndërsa 1050 në Siri. Të paktën 11,119 persona janë plagosur në Turqi dhe 2,453 janë plagosur në Siri pas tërmetit të fuqishëm.
Një përmbledhje e ndihmës ndërkombëtare që është premtuar deri më tani:
– Mbretëria e Bashkuar po dërgon 76 specialistë kërkim-shpëtimi me pajisje dhe qen, si dhe një ekip mjekësor urgjent, në Turqi. Mbretëria e Bashkuar thotë gjithashtu se është në kontakt me OKB-në për të ofruar mbështetje për të prekurit në Siri.
– Shtetet e Bashkuara po dërgojnë dy ekipe kërkim-shpëtimi me 79 persona për të ndihmuar zyrtarët turq, sipas Shtëpisë së Bardhë.
– BE ka mobilizuar ekipet e kërkimit dhe shpëtimit për të ndihmuar Turqinë, ndërsa sistemi satelitor Copernicus është aktivizuar për të ofruar shërbime të hartës së urgjencës. Të paktën 13 vende anëtare kanë ofruar ndihmë. BE tha se është gjithashtu e gatshme të ofrojë ndihmë për Sirinë përmes programeve të saj të ndihmës humanitare.
– Ekipet ruse të shpëtimit nga ministria e emergjencave po përgatiten të fluturojnë për në Siri, ku ushtria ruse e vendosur në atë vend ka dërguar tashmë 10 njësi me 300 persona për të ndihmuar në pastrimin e rrënojave dhe kërkimin e të mbijetuarve. Ushtria ruse ka ngritur pika për shpërndarjen e ndihmës humanitare. Rusia i ka ofruar ndihmë edhe Turqisë, e cila është pranuar.
– Izraeli po dërgon ekipe në Turqi. Kryeministri Benjamin Netanyahu tha se ai ka miratuar gjithashtu një kërkesë për ndihmë humanitare për Sirinë, të marrë përmes një zyrtari diplomatik. Izraeli dhe Siria nuk kanë marrëdhënie diplomatike dhe të dy vendet kanë zhvilluar disa luftëra.
– Gjermania po përgatit dërgesat e gjeneratorëve të emergjencës, tendave dhe batanijeve.
– Greqia po i dërgon Turqisë një ekip prej 21 shpëtimtarësh, dy qen shpëtimi dhe një automjet special shpëtimi, së bashku me një inxhinier strukturor, pesë mjekë dhe ekspertë të planifikimit sizmik në një aeroplan transporti ushtarak.
– Japonia po dërgon një grup prej rreth 75 punëtorësh shpëtimi në Turqi.
– Spanja po përgatitej të dërgonte dy ekipe të Kërkimit dhe Shpëtimit në Turqi me 85 personel dhe një kontingjent zjarrfikësish vullnetarë.
– Agjencia e Mbrojtjes Civile e Italisë i ka ofruar ndihmë Turqisë. Një ekip zjarrfikës po përgatitej të largohej nga Piza.
– Franca po dërgon ekipet e shpëtimit në Turqi./abcnews.al