Ndryshimet në Kodin Penal, Lleshaj: Nuk e ndalojmë dot futjen e armëve kontrabandë

schedule14:05 - 18 Korrik, 2019

schedule 14:05 - 18 Korrik, 2019

Propozimet e mazhorancës për ndryshimet në Kodin Penal i mbështeti në Kuvend edhe ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj. Sipas ministrit duke forcuar ligjin i shërbejmë jetës së qytetarëve duke sjellë në vëmendje edhe vitin ’97 kur u vranë njerëz në mënyrë të pavullnetshme.

“Duhet të bllokojmë kufirin për të ruajtur mosfutjen e armëve në Shqipëri. Shqipëria është vend i lirë dhe kufijtë tanë janë shumë porozë për arsye se janë kufij të gjelbër tashmë. Nuk janë kufij me tela me gjemba dhe përmes këtyre kufijve të gjelbër mund të futen. Ashtu siç futen kontrabandë cigare e mallra të tjera, mund të futen edhe armë dhe mjete të rrezikshme. Prandaj duhet forcuar dhe ashpërsuar ligji dhe ndëshkimi penal ndaj posedimit të armëve. Ne do të shkojmë në një hap më të rëndësishëm më vonë duke forcuar kriteret për mbajtjen e armëve edhe në mënyrë të ligjshme. Shqipëria, ashtu si shumica e vendeve europiane ka një politikë penale relativisht liberale sa i përket dënimit penal.

Ne që e kemi hequr dënimin me vdekje, duhet të heqim edhe mundësinë fizike që dikush të vrasë. Kur ja kemi hequr këtë mundësi ligjit dhe shtetit për të vrarë, duhet t’ia ngushtojmë mundësinë çdo qytetari, i cili siç thatë ju nuk mund të pengohet kurrë për t’u çmendur, që një ditë të caktuar duke e patur lehtësisht në dorë armën, edhe mund ta përdorë keq edhe mund të vrasi njeri. Kjo është pak a shumë ideja që është mbrapa këtij propozimi. Të forcojmë dënimin penal  ndaj atyre që posedojnë në mënyrë të paligjshme armë, sepse këto armë nuk janë instrumente muzikore nga ato të ahengut që përmendët, po janë mjete të cilat kanë vetëm një funksion – për të vrarë”, tha Lleshaj./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!