LUSHNJË- Një 46-vjeçar nga Lushnja, i cili ishte shpallur në kërkim nga Policia e Shkodrës, është arrestuar pasi në bashkëpunim me dy persona të tjerë po transportonin klandestinë kundrejt pagesës në drejtim të Malit të Zi. Sipas policisë, i arrestuari është shtetasi Artan Gjyla.
Njoftimi i Policisë:
Lokalizohet dhe kapet në Lushnjë, një shtetas i shpallur në kërkim, në kuadër të operacionit “Rrjeta” të zhvilluar ditën e djeshme, në Shkodër. 48-vjeçari organizator i një rasti të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit me qëllim përfitimin. Gjatë operacionit “Rrjeta”, i ndaluari dhe 2 shtetas të tjerë transportonin me 3 automjete, 16 emigrantë, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë, si rezultat i punës së mirëkoordinuar me Policinë e Shkodrës, të mbështetura dhe nga inteligjenca informative, lokalizuan, kapën dhe vunë në pranga shtetasin e shpallur në kërkim, A. Gj., 48 vjeç, banues në Lushnjë.
48-vjeçari ishte i kërkuar në kuadër të operacionit “Rrjeta”, të zhvilluar ditën e djeshme, nga DVP Shkodër, për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë së rendit publik” dhe “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”. Ky shtetas dhe 2 të tjerë (njëri i arrestuar gjatë operacionit dhe tjetri ende në kërkim), në fshatin Vukpalaj, Kastrat, zbritën nga 3 automjete, 16 emigrantë që po transportoheshin drejt Malit të Zi, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit, drejt vendeve të BE-së. Ky shtetas iu dorëzua shërbimeve të DVP Shkodër, për veprime të mëtejshme procedurale/abcnews.al