Kreu i Grupit të PS-së, Taulant Balla e ka quajtur si absurd dhe arbitrat vendimin e Gjykatës së Durrësit, që nuk i konfirmoi mandatin kandidatës së PS-së në Durrës, Valbona Sako.
Me anë të një statusi në “Facebook”, Balla e ka quajtur si nul vendimin e gjyqtares së Durrësit, për të cilën tha se mori brohoritjet e opozitës që kërkojnë kaos dhe pasiguri.
“Keqardhje për vendimin absurd, arbitrar dhe nul te një gjyqtareje, e cila mori brohoritjet e atyre qe në vijim të përpjekjes se deshperuar per kaos e pasiguri, nuk dinë më cfarë bëjnë. Pavarësisht kesaj lajthitjeje anti-ligjore dhe anti-logjike të radhës, në respekt të vullnetit të popullit, çdo kryetar i sapo zgjedhur pas shpalljes së vendimit vetëm nga KQZ apo Kolegji Zgjedhor do ta marrë detyrën, do ta ushtrojë dhe do të japë llogari përpara Këshillit Bashkiak sikurse ligji e parashikon.
Nuk ishte parë e dëgjuar në gjithë këto vite që një vërtetim i thjeshtë fakti të refuzohet duke dalë hapur në shkelje flagrante të ligjit mbi një vendim të formës së prerë. Në Shqipëri sipas Kodit Zgjedhor mandatet e të zgjedhurve i jep vetëm KQZ dhe Kolegji Zgjedhor. Dhe vendimet e Kolegjit Zgjedhor janë përfundimtare dhe të pa-ankimueshme.
Sidoqoftë me keqardhje për ata që kanë humbur rrugën e arsyes, ne mbetemi të qetë dhe të vendosur në rrugën e hapur nga populli më 30 Qershor”, shkruan Balla./abcnews.al