Akuzat për shpenzime luksi, jep dorëheqjen ministri francez i Mjedisit

schedule19:30 - 16 Korrik, 2019

schedule 19:30 - 16 Korrik, 2019

Akuzat për shpenzime luksi kanë detyruar ministrin francez të Mjedisit të japë dorëheqjen. Fransua de Ruzhi akuzohet se me paratë e taksapaguesve konsumonte darka të shtrenjta dhe mobilonte shtëpinë e tij.

Ministri francez i Mjedisit, Fransua de Ruzhi dha të martën dorëheqjen nga posti pas polemikave të shkaktuara nga shpenzimet e tij ekstravagante, përfshirë ato për darkat private. Vetë De Ruzhi e quajti rastin e tij një “sulm mediatik”, duke deklaruar se energjia që ka shpenzuar për të mbrojtur personalitetin e tij e ka penguar në punën si ministër.

Një ueb sajt investigativ shkroi se ai kishte shpenzuar shuma të mëdha të taksapaguesve në mbrëmje gala dhe se kishte mobiluar apartamentin e tij gjatë kohës kur ishte kryetar i Parlamentit. Nga ana e tij, De Ruzhi mohoi çdo keqpërdorim. “Gjithçka është një linçim mediatik për të sulmuar familjen time dhe për të më detyruar të tërhiqem. Sidoqoftë, una ia dorëzova dorëheqjen time kryeministrit”, deklaroi ai. Faqja e internetit “Mediapart” e akuzoi ministrin se priste miqtë në darka luksoze me aragosta dhe verëra të cilësisë së lartë.

Më herët De Ruzhi ka pranuar se ka mbajtur darka të shtrenjta, duke thënë se është diçka normale për një kryetar Parlamenti, por ka nënvizuar se nuk i pëlqejnë aragostat. “Nuk më pëlqejnë, nuk i ha. Nuk më pëlqejnë as midhjet dhe shampanja më sjell dhimbje koke”, tha ai pak kohë më parë në një intervistë televizive. Akuzat ndaj De Ruzhi dolën në një kohë kur kishin shpërthyer protestat e lëvizjes “Jelekët e Verdhë” për pabarazinë dhe kur Emanuel Makron akuzohej se ishte presidenti i të pasurve për shkak të politikave të tij pro biznesit. /ABC News Albania 24/7