TIRANË- Zhvillimet e fundit politike në Shqipëri u analizuan në studion e “Tirana Live” në ABC NEWS. Analisti Frrok Çupi tha se opozita po kërkon të pamundurën pasi qasja e saj është e papranueshme nga qytetaria.
“Hap pas hapi, se çfarë po bëjnë dhe zhvillojnë politikën e tyre, të krijohet përshtypja, se kjo lloj opozitë dhe këto parti po kërkojnë të pamundurën dhe vihet re në të gjitha elementët e vet. Pse kërkohet e pamundurën, e para, po kërkojnë të pamundurën, që përmes protestave të thonë ta zhdukim Ramën, gjë që është e pamundur në një sistem shumice. Kërkojnë të pamundur, që mund ti bëjnë presion ligjit të pranojnë të paligjshmen. Kjo është e pamundur. Po kërkon të pamundurën, që të shkohet në zgjedhje, të fitohen zgjedhjet, në ndërkohë që opozita është krejtësisht e paorganizuar dhe e papranueshme nga qytetaria”, tha ai.
Ai theksoi se në vend ka rënë miti si ish-kryeministri Sali Berisha është i pagjykuar. Këtë logjikë, analisti e bazon tek thirrja që SPAK bëri për djalin e tij Shkëlzen Berishën sa i takon çështjes “Gërdeci”.
“Të dyja palët, Meta dhe Berisha, e tërë vëmendja e tyre nuk është tek populli, nuk është te interesi i qytetarëve. Kjo opozitë ka shkuar para murit. Janë ditët e fundit të manovrave të opozitës. Ra miti që Berisha është i pagjykuar. Ra ky mit, që kur u thirr i biri për Gërdecin?” tha Çupi/ abcnews. al