Presidenti i Francës Emmanuel Macron ka përfunduar vizitën e tij dy ditorë në Serbi. Ndërkohë presidenti serb Aleksandër Vuçiç u shpreh për mediat se një takim I radhës mes të dyve mund të ndodhë në Shtator të këtij viti.
Presidenti francez, Emmanuel Macron, mëngjesin e ka kaluar në kalanë e Beogradit-Kalemegdan. Në atë pjesë ai ka shëtitur bashkë me homologun, Aleksandër Vuçiç. Presidenti serb i ka treguar bukuritë e kryeqytetit dhe e ka falenderuar për një vizitë të tillë plotë aktivitete.
Këtu Macron vetëm është falenderuar për mikpritjen dhe më pas ka takuar studentët e fondacionit “Ryco”, organizatës rinore që ka selinë në Tiranë. Presidenti Vuçiç më pas ka folur për mediat serbe duke thënë se Macron e kupton që kompromisi është zgjidhja për Kosovën dhe është ndër të vetmit që e thotë pavarësisht se shumë e mendojnë.
“Duhet pyetur Macron, por unë besoj se një lloj Berlini do të ndodh në shtator. Natyrisht se duhet kohë që të flitet sërish për disa problem dhe unë nuk dua tani të përsëris gjërat si tarifat apo jo”, tha Vuçiç.
Presidenti serb nuk është shprehur pesimist për integrimin në Bashkimin Evropian, pavarësisht qëndrimit të Macron. Shpresën e ka tek puna e tij.
“Kam kërkuar vetëm mirëkuptim që problem i Kosovës nuk mund të zgjidhet ashtu si duam ne të gjithë, por diçka në mes. Këtë e kupton çdo njeri, çdo serb dhe çdo shqiptarë, por bëhemi sikur nuk kuptojmë dhe mohojmë dëshirat e palës tjetër. Unë do të angazhohem gjithë jetën time për kompromis, por vërtetë për kompromis”, tha Vuçiç.
Vizita e Macron është parë si një hap i rëndësishëm për Serbinë pasi ka shkuar në detaje. Opozita serbe nuk ka qenë e lumtur pasi me ta nuk ka patur takim. Por, shtypi serb e ka konsideruar vazhdim të besimit me Francën, sidomos deklaratën e Macron se Serbinë e ka në zemër./ABC News Albania 24/7