Jeni të lodhur dhe keni dëshirë për të fjetur, por ju del gjumi në mes të natës dhe nuk mundeni të flini përsëri.
Mund të jetë shumë e lodhshme dhe zhgënjyese, veçanërisht kur mendoni se sa shumë kemi nevojë për një gjumë të mirë.
Sipas Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në SHBA, mungesa e gjumit është e lidhur me sëmundjet kronike duke përfshirë diabetin, sëmundjet e zemrës, obezitetin dhe madje edhe depresionin.
“Më shumë se 10 për qind e popullsisë vuan nga pagjumësia kronike, që do të thotë se kanë probleme me gjumin për më shumë se tre muaj”, shpjegon doktoresha Shelly Hershner, profesoresh e neurologjisë në Qendrën Mjekësore për Çrregullimet e Gjumit në Miçigan.
Nëse nuk arrini të bini sërish në gjumë pasi zgjoheni për më shumë se 20 minuta, ngrihuni dhe shkoni në një dhomë tjetër të qetë të shtëpisë. Mbulohuni dhe përpiquni të flini. Ju gjithashtu mund të ktheheni në shtratin tuaj kur të vini re se jeni qetësuar mjaftueshëm për të fjetur.
Pse ndodh kjo?
Sepse nëse qëndroni në shtrat, mund të filloni të ndiheni nën presion për të fjetur, dhe kjo do t’ju zhgënjejë edhe më shumë, thotë Hershner. Ky presion mund të rrisë rrahjet e zemrës dhe ankthin, të cilat së bashku e bëjnë më të vështirë përpjekjen për të fjetur përsëri. Një ndryshim në mjedis mund të na qetësojë dhe të na ndihmojë të flemë përsëri.
Provoni të lëvizni në divan, mbulohuni me një batanije dhe thjesht shtrihuni. Kjo teknikë është shumë efektive dhe shumë më e mirë se ilaçet, shtoi Hershner.
Përndryshe, nëse shpesh shqetësoheni nga zgjimet e natës, fillimisht sigurohuni që dhoma juaj e gjumit të jetë më e freskët. Nëse flini në një dhomë të ngrohtë, do të jeni më të prirur ndaj shqetësimit dhe ankthit. Gjithashtu, bëni kujdes që të mos pini shumë ujë para se të shkoni në shtrat, në mënyrë që të mos shkoni shpesh në tualet. /abcnews.al